Ministri i Arsimit Pishtar Lutfiu nga afër vezhgon ndertimun e shkollës në Studeniçan

Fjala e Ministrit Lutfiu në SH.F.”Naim Frashëri” në Studeniçan

“Të nderuar qytetarë dhe banorë të Studeniçanit.
Sot kemi ardhur këtu në vendbanimin tuaj që për së afërmi t’i vëzhgoj aktivitetet ndërtimore se si po zhvillohen për ndërtimin e sallës së sportit pranë SH.F. “Naim Frashëri”.
Ndërtimi i sallave të sportit është në programin e Bashkimit Demokratik për Integrim e cila është futur në programin qeveritar dhe asaj të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Sipas këtij projekti janë të paraparë gjithsej të ndërtohen 145 salla sporti pranë shkollave fillore dhe të mesme në Republikën e Maqedonisë. Deri në këto momente janë ndërtuar 57 salla sporti prej tyre 25 në shkolla të mesme dhe 32 në shkollat fillore.
Ndërtimi i sallës në Studeniçan e kap vlerën mbi 40 milion denarë, me madhësi prej 1300 m2 që i takon tipit apo modelit 2 që nënkupton se do të ketë dhe tribuna me ulëse moderne.
Qëllimi i ndërtimit të këtyre objekteve sportive është ngritja e vetëdijës te rinia, që nëpërmjet aktiviteteve sportive ne dëshirojmë që fëmijët tonë, nxënësit tuaj t’i provojnë sekretet e shkathtësive sportive që do t’i mësojnë dhe ushtrojnë në këto salla sporti të cilat ne po i ndërtojmë.
Në të kaluarën nga populli jonë kanë dalë një numër i konsiderueshëm i sportistëve të dalluar të cilët gjoksin e tyre e kanë dekoruar me medalja të arta dhe të argjenta në garat olimpike siç ishin Shaban Tërstena dhe Shaban Sejdiu. Gjithashtu mos të harrojmë ta përmendim dhe Mentaz Alajbegun i cili i vendosi themelet e një sporti modern të mundjes në Maqedoni.
Është për tu përmendur gjithashtu tradita e kahmotshme e kësaj ane për praktikimin e sportit të mundjes e cila quhet pehlivanizëm.
Në bazë të dinamikës ky objekt duhet përfunduar kah fundi i vitit të ardhshëm. Sidoqoftë ne mendojmë se Studeniçani me rrethinën ka kapacitete të na ofrojë dhe sportistë të rinj jo vetëm të mundjes por dhe të veprimtarive tjera sportive siç janë futbolli, basketbolli, hendbolli etj.
Gjithashtu dua t’ju informoj se Bashkimi Demokratik për Integrim dhe ministrat e saj nuk bëjnë dallime ideo-politike. Ne investojmë dhe aty ku ne nuk kemi kryetar komune siç është rasti me komunën tuaj. Konkretisht në shkollën periferike të Naim Frashërit në vendbanimin Moranë e kemi instaluar nxemjen qëndrore ndërsa në SHF “Alia Avdoviq” në Batincë është rregulluar fusha e sportit me mjete buxhetore.
Ne fund më lejoni të ju përshëndes dhe të dëshiroj sa më shpejt të përfundon ndërtimi i këtij objekti
Ju faleminderit.”