Ministri Kuçi në Hasanbeg, fillon rindërtimi i stadiumit të dëmtuar nga vërshimet

 Ministri i Ekonomisë Driton Kuçi qëndroi në lagjen Hasanbeg të Shkupit, ku ka vizituar stadiumin e klubit futbollistik “Fortuna”, i cili që nga vërshimet e 6 gushtit pësoi dëme të mëdha. Ministri Kuçi informoi se faza e parë e rinovimit ka përfunduar dhe se procesi i rinovimit të plotë do të përfundojë deri në maj të vitit të ardhshëm.

Ministria që drejtoj ka mbështetur rinovimin e stadiumit që sa më shpejt ky klub të zhvillojë ndeshjet në stadiumin e vet, tha Kuçi i cili apeloi tek sportdashësit të japin kontributin e tyre.

“Bëj apel që nëse ka sportdashës, të ndihmojnë klubin e futbollit “Fortuna”. Unë këtu jam që t’u mundësoj që në pranverë të kthehet loja dhe të zhvillohen ndeshjet në Hasanbeg, por ama kërkoj edhe ndihmën e të gjithë sportdashësve”, tha Kuçi.

Renovimi i stadiumit përveç se nga Federata e Futbollit, Ministria e Ekonomisë, ka gjetur përkrahje edhe nga Komiteti Olimpik i Maqedonisë, që ka dhuruar 12 mijë dollarë për rregullimin e zhveshtoreve.

“Faza e parë ishte tërheqja e të gjithë materialit të panevojshëm që gjendej në stadium. Në fazën e dytë do të duhet të vendosim gypat për thithjen e ujit, pastaj në fazën e tretë pason krijimi i kushteve në dhomat e zhveshjes”, tha Safet Ademi, trajner në KF “Fortuna”.

Sipas Ademit, stërvitjet po i zhvillojnë në stadiumin në Inxhikovë dhe në Federatën e Futbollit të Maqedonisë. Dimitar Zisovski nga Federata e Futbollit thotë se po bëhen përpjekje maksimale për rikthimin e jetës sportive në këtë vendbanim.
“Pritjet dhe angazhimi ynë është arritja e kushteve të mira për lojë, që të rinjtë e këtij rajoni të mund të merren me aktivitete sportive dhe të cilat janë të pranuara në rrethin tonë”, thotë Zisovski