MINISTRI SERB AKUZON HARADINAJN: I ÇMENDUR QË KA SHKAKTUAR GJAKDERDHJE

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në Serbi, Aleksandar Vulin ka reaguar ashpër ndaj Ramush Haradinajt, pasi kandidati për kryeministër të Kosovës tha se Kosova e ka armik Serbinë.

Vulin ka thënë se është koha që Haradinaj të mos merret me deklarata të tilla, duke kërkuar reagimin e bashkësisë ndërkombëtare.

“Koha është që ai të ndalet, kjo për hir të serbëve dhe shqiptarëve. BE-ja dhe UNMIK-u duhet ta ndalojnë atë”, tha Vulin.

Madje ministri serb shkoi aq larg sa e quajti kandidatin për kryeministër edhe të çmendur.

“Vetëm një i çmendur e krahason Vuçiqin me Haradinajn. Ai është një i çmendur që ka shkaktuar gjakderdhje”, ka thënë Vulin.

Kandidatit për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinajt, i është dukur qesharake, madje ofenduese, pyetja e gazetarit të televizionit publik nëse Kosova do ta ketë partner Serbinë.

“Po bon hajgare po më duket”, është reagimi i parë i kreu të AAK-së, pasi gazetari Ridvan Berisha e pyet Ramush Haradinajn nëse në rast se zgjidhet kryeministër “A e sheh Serbinë si partner në konsolidimin e shtetit të Kosovës?”.

“Është ofendim më i thanë kryeministrit të ardhshëm, ose të nominimit, që e ki partner Serbinë. Nuk e kam partner Serbinë. E kam Shqipërinë. Vëlla e motër, e çka të dush i kam shqiptarët së pari. I kam ata që më dojnë. E kam Kroacinë partner, e kam Austrinë, Gjermaninë. Qysh partner Serbinë?”, deklaroi Haradinaj.