Ministria e Jashtme ndalon Gjuriç të hyjë në Kosovë

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, ka refuzuar sërish kërkesën e Marko Gjuriçit për të hyrë në Kosovë. Këtë e ka konfirmuar, Bashmir Xhemaj, shefi i kabinetit të ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.

Sipas Xhemajt, shefi i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç ka kërkuar leje nga MPJ për të hyrë nesër në Kosovë, por sipas tij, MPJ ka marrë këtë vendim për ndalimin e hyrjes së tij, pas informacioneve se Gjuriç së bashku me disa zyrtarë të tjerë kanë pasur në plan që nesër në veri të Kosovës të vizitojnë disa pika të karburantit në territorin e Kosovës, të cilat nuk janë të licencuara nga autoritetet kosovare, raporton Zeri.info.

Xhemaj po ashtu ka thënë se, Marko Gjuriçit i lejohet hyrja në Kosovë vetëm me leje paraprake nga Ministria e Jashtme e Kosovës, ku ai fillimisht duhet të raportojë për agjendën që do ta ketë derisa është në territorin e Kosovës.