Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i URM-së heshtin për dhunën në Kuvendin e Maqedonisë

 

Ekspertët kërkojnë që Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i URM-së të ndërmarrin procedura kundër të punësuarve të tyre që morën pjesë në ngjarjet e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë.

 

Ish-gjenerali në ARM, Ilija Nikollovski, sqaron se përgjegjësi të njëjtë për reagim kanë edhe ushtria edhe ministria sepse ndër pjesëmarrësit në dhunë përmenden emra nënkolonelësh, profesorësh të akademisë ushtarake, reshterësh dhe të punësuar të tjerë. Sipas tij, janë shkelur disa dispozita për përgjegjësi disciplinore.

Ndër emrat e përmendur si pjesëmarrës janë i Andrej Iliev, nënkolonel, si edhe të punësuar tjerë në ministrinë përkatëse.

Nga Shtabi i Përgjithshëm thonë se në rast të vërtetimit të përgjegjësisë së caktuar të pjesëtarëve të ushtrisë, Shtabi vepron në pajtim me kompetencat dhe përgjegjësitë që i ka për procedim për përgjegjësi sipas Ligjit që rregullon këto çështje.

Nga Ministria e Mbrojtjes thonë për TV24 se nuk janë ata institucioni që duhet të vërtetojë fajësinë e qytetarëve.

Deri tani, kanë kaluar më shumë se 20 ditë, por as Ministria e Mbrojtjes e as Shtabi i Përgjithshëm nuk kanë ndërmarrë ndonjë hap në këtë drejtim./Telegrafi/