Ministrja për vetëqeverisje lokale Shiret Elezi sot në Tetovë mori pjesë në konferencën me temë “Roli i gruas në vendimmarrje në nivel lokal”

Ministrja për vetëqeverisje lokale Shiret Elezi sot në Tetovë mori pjesë në konferencën me temë “Roli i gruas në vendimmarrje në nivel lokal”, të organizuar nga Lobi rajonal i grave për paqe, siguri dhe drejtësi në Evropën Juglindore.

Në prani të organizatorëve dhe të grave kryetare të komunave nga vendi dhe vendet e tjera të rajonit, ministrja Elezi theksoi se pavarësisht të gjitha masave normative, gjendjet reale në Ballkan, sa u përket çështjeve që kanë të bëjnë me barazinë gjinore, ende mbahen të hapura dhe aktuale.

Disa vlera tradicionale ngadalë por me siguri janë duke ua hapur rrugën vlerave demokratike, të përcaktuara si të drejta universale të njeriut, theksoi ministrja Elezi e cila nënvizoi se në Republikën e Maqedonisë mundësitë e barabarta mes burrave dhe grave janë ngritur në nivel të ligjit, që do të thotë se shteti u ka dhënë prioritet çështjeve gjinore.

  • Me procesin e decentralizimit në Republikën e Maqedonisë çështjet kryesore që lidhen me cilësinë e jetës, siç janë shkollat fillore dhe të mesme, kopshtet e fëmijëve, kujdesi social për fëmijët dhe të moshuarit, veprimtaritë komunale, zhvillimin lokal, kultura, sporti masovik dhe çështje të tjera, janë në kompetencë qeverisjes lokale. Kuotat në listat e kandidatëve, janë vetëm një nga zgjidhjet. Mënyra tjetër është sensibilizimi i vazhdueshëm i grave përmes rolit të qytetareve aktive në proceset e konsultimit, theksoi ministrja Elezi

Ministrja Elezi tha se veçanërisht i rëndësishëm është bashkëpunimi në ngritjen e vetëdijes publike në vendbanimet lokale rurale, ku prania aktive e femrave është dukshëm më e ulët, si dhe në lokalitetet etnikisht të përziera ku theksi është vendosur në çështjet etnike në llogari të atyre gjinore.

-Pa qëllim favorizimi të cilësive të gruas, bota në të cilën balanca natyrore është pasqyruar në rolet sociale, me siguri do ishte një vend shumë më i mirë për të jetuar. E njëjta gjë vlen edhe për vendbanimet lokale, në të cilat, thënë simbolikisht , përveç “trimërisë mashkullore”, nevojitet edhe mendja e shëndoshë dhe stabiliteti femërorë, theksoi në fjalimin e sajë ministrja për vetëqeverisje lokale Shiret Elezi.