Mitrovicë, shpërthen granata në burg

Një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar në orët e para të ditës së diele para hyrjes kryesore të burgut në veri të Mitrovicës. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Besim Hoti, deklaroi se nga shpërthimi nuk ka të plagosur dhe as dëme.

Hoti gjithashtu njoftoi se bëhej fjalë për një granatë dore M75, ndërsa deri më tani nuk ka asnjë të dyshuar në lidhje me rastin.

“Ka ndodhur një sulm 45 minuta pas mesnatës, për shpërthimin në fjalë janë njoftuar autoritet përkatëse. Nuk ka të lënduar dhe as dëme anësore. Gjatë mëngjesit e kemi bërë krehjen e zonës dhe kontrollimin e mjeteve. Bëhet fjalë për një granatë dore tipi M75. Deri më tani nuk ka asnjë të dyshuar”, u shpreh ai.