Mjerim:Maqedonia e fundit me pagën minimale në Evropë

Paga më e lartë minimale në BE mbërrin deri në 2 mijë euro në Luksemburg, ndërsa në fund të listës janë Maqedonia dhe Bullgaria me një pagë minimale prej 235 eurosh, shkruan Agjencia e Bashkimit Evropian për Statistika – EUROSTAT. Nga 28 vendet e Bashkimit Evropian, 22 vende kanë një pagë minimale, por një rregullore e tillë nuk ekziston në Danimarkë, Finlandë, Suedi, Austri, Itali dhe Qipro. Në dhjetë vende paga minimale është më pak se 500 euro. Përveç Bullgarisë dhe Maqedonisë, në këtë grup janë edhe Rumania (275), Letonia dhe Lituania (380), Republika Çeke (407), Hungaria (412), Kroacia (433), Sllovakia (435), Polonia (453) dhe Estonia (470). Paga minimale në mes të 500 dhe 1000 eurosh është në Portugali (650), Greqia (684), Malta (736), Sllovenia (805) dhe Spanja (826). Në grupin e vendeve me paga më të larta minimale prej 1.000 eurosh janë Britania e Madhe (1,397), Franca (1,480), Gjermania (1498), Belgjika (1532), Holanda (1552), Irlanda (1563) dhe Luksemburgu (1999). Rritja më e madhe e pagës minimale në tetë vjetët e fundit, 109 për qind, është regjistruar në Bullgari, në Rumani u rritën për 99 për qind dhe në Sllovaki 80 për qind. Reduktimi i pagës minimale është vërejtur vetëm në Greqi për 14 për qind.