MOGERINI DHE HAN E PËRSHËNDETËN ZGJEDHJEN E QEVERISË SË RE TË MAQEDONISË

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini dhe eurokomisari për zgjerim Johanes Han, sot në mëngjes në një kumtesë të përbashkët e përshëndeti zgjedhjen e Qeverisë së re të Maqedonisë, njofton korrespondenti i MIA-s nga Brukseli.

Në të njëjtën kohë, Mogerini dhe Han porositën se presin që Qeveria e kryeministrit Zoran Zaev dhe opozitës, të përgatisin program të përbashkët për agjendën reformuese e cila do të jetë në dobi për Republikën e Maqedonisë.

“Ne e përshëndesim votimin për qeverinë e re të kryesuar nga kryeministri Zoran Zaev. Bashkimi Evropian është i gatshëm ta mbështesë punën që qeveria e re, si dhe opozita do ta bëjnë që në mënyrë konstruktive të implementohen të gjitha pjesët e Marrëveshjes së Përzhinos dhe Prioritetet reformuese urgjente. Presim të gjitha partitë parlamentare t’i lënë ndarjet e tyre anash për momentin dhe nga fillimi të punojnë bashkërisht në dorëzimin e agjendës së përbashkët reformuese e cila do të jetë në dobi të vendit në tërësi. Kjo është, gjithashtu, me rëndësi esenciale që vendi të kthehet në rrugën e vet drejt integrimit evropian, proces të cilin qytetarët e duan qartë dhe e meritojnë”, thuhet në kumtesën e dyshes së lartë evropiane.

Duke e pasur parasysh që javën e kaluar ishte i pritur në Bruksel nga Federika Mogerini, në takimin e përbashkët joformal me pesë kryeministrat e tjerë të shteteve ballkanike, kryetari i Qeverisë së Maqedonisë, Zoran Zaev, së shpejti pritet të ftohet në shoqëri të ministrit të ri të Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov përsëri ta vizitojë kryeqendrën evropiane kësaj radhe për takim me eurokomisarin, Johanes Han.