Mogherini deklarohet për takimin Kosovë-Serbi në Bruksel

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka lëshuar një komunikatë për media, pas ndërmjetësimit të takimit të nivelit më të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

“Sot, presidentët Tomisllav Nikolliq dhe Hashim Thaçi, dhe kryeministrat Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq, m’u bashkuan për një takim të nivelit të lartë të Dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka njoftuar Mogherini.

“Dua t’i falënderoj ata për takimin e hapur dhe shumë konstruktiv që kemi pasur. Ata kanë diskutuar për zhvillimet gjatë ditëve të fundit, dhe janë pajtuar t’i lënë pas tensionet dhe të përqendrohen në punët përpara”, ka bërë të ditur Mogherini, transmeton Gazeta Express.

“Unë kam theksuar se progresi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i rëndësisë maksimale: për Kosovën dhe Serbinë, për vetë Bashkimin Evropian, dhe për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Përparimi në dialog është kyç për të dyja palët për të ecur përpara në rrugët e tyre përkatëse drejt Bashkimit Evropian”, ka thënë Mogherini.

“Jam e inkurajuar nga udhëheqja, vizioni, përkushtimi dhe angazhimi i treguar nga udhëheqësit politikë sot, për të adresuar dhe për të zgjidhur çështjet nëpërmjet Dialogut”, ka shtuar Mogherini.

“Që të dyja palët janë pajtuar ta çojnë Dialogun përpara në frymë të respektit, të bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit reciprok. Diskutimet ndërmjet palëve do të intensifikohen gjatë ditëve të ardhshme. Ne kemi vendosur të kemi disa takime të nivelit të lartë të Dialogut, duke filluar nga ditët e ardhshme”, ka bërë të ditur Mogherini.