Mos e teproni me këtë produkt

Prej shumë kohësh tashmë, peshku reklamohet si një nga super ushqimet që ndihmojnë në mbajtjen sa më larg të kancerit, depresionit dhe që kujdeset për zemrën dhe trurin. Por, sipas një studimi të ri, konsumimi i një sasie të madhe të peshkut të yndyrshëm, si sardenja, tuna, rrit mundësinë e prekjes nga diabeti i tipit 2 me 25%.

Ekspertët këshillojnë që të mos konsumoni më shumë se 4 racione në javë nga këto lloje peshku, në të kundërt do të kemi më shumë dëme se përfitime në shëndet. Ky lloj peshku është i pasur me acide yndyrore omega 3, që besohet të rrisë fuqinë e trurit, të mbajë zemrën të shëndetshme dhe të reduktojë inflamacionin e trurit, kujdeset për sistemin kardiovaskular dhe për qelizat e tjera.

Sipas shkencëtarëve, nuk ka pasur të dhëna të mjaftueshme për të bërë një lidhje midis diabetit të tipit 2 dhe konsumit të tepërt të peshkut të yndyrshëm. Për këtë arsye  shkencëtarët francezë vendosën të vëzhgonin mënyrën e ushqyerjes së më shumë se 70.000 grave. Ata zbuluan se gratë që konsumuan më shumë acide yndyrore omega 3, që gjendet edhe te mishi i kuq, ishin 25 % më të rrezikuara për t’u prekur nga diabeti se gratë që konsumuan më pak.

3 gratë që konsumonin rreth 1.6 kg acide yndyrore në javë, e barabartë me një racion sardele ose salmon në ditë, e rritën rrezikun për t’u prekur nga diabeti i tipit 2 me rreth 26%. Ndërkohë që konsumi i lartë i acideve yndyrore omega 3 lidhet me rritjen në 19% të rrezikut nga diabeti te gratë mbipeshë. Një vëzhgim më i kujdesshëm tregoi se konsumi i një acidi yndyror që gjendet te omega-3, i quajtur DPA, rrit rrezikun nga diabeti si te gratë me peshë jo të lartë ashtu edhe te ato mbipeshë, respektivisht me 45% dhe 54%. Të njëjtat rezultate dolën edhe kur u teprua konsumi i sasisë së acidit “arachidonic”. Nivelet e larta  të këtyre acideve yndyrore të gjendura te omega-3 rrisin me 75% rrezikun që personat me peshë normale dhe ata mbipeshë të preken nga diabeti.

Dr. Guy Fagherazzi, nga Universiteti Saclay-Paris, tha : “Acidet yndyrore të ndryshme japin efekte të ndryshme për sa i përket prekjes nga diabeti i tipit 2. Siç doli dhe nga studimi, disa lloje acidesh yndyrore që gjenden te omega-3 rrisin rrezikun e prekjes nga diabeti, por kjo nuk do të thotë se në duhet të heqim dorë plotësisht prej tyre. Ne thjesht duhet të mbajmë nën kontroll sasinë që konsumojmë, pasi përgjithësisht ne konsumojmë më shumë nga sa i duhet trupit tonë”.

Përfundimet e studimit u prezantuan në mbledhjen e Shoqatës Evropiane për Studimin e Diabetit, që u mbajt në Mynih.