Mos i vizitoni nënat që sapo kanë lindur një fëmijë sepse…

Realiteti me të cilin prindërit përballen pas ardhjes në jetë të fëmijës është krejt ndryshe nga ai që ishin mësuar të jetonin, ndërsa i vogli i tyre ishte brenda barkut të nënës, dhe ata duhet të përshtaten gradualisht me jetën e tyre të re.

Diçka e tillë kërkon një kohë të caktuar, dhe sigurisht që gjatë kësaj kohe vizitat e të afërmve dhe miqve duhet të jenë tepër të limituara, e kundërta duhet të ndodhë vetëm nëse prindërit e kërkojnë praninë e tyre.

Por përse duhet të ndodhë kështu?

Është shumë e thjeshtë! Edhe i porsalinduri, ashtu si edhe prindërit ka nevojë të përshtatet me jetën e re jashtë barkut të nënës, dhe idealja do të ishte që gjatë kësaj kohe të mos merrte shumë stimuj të jashtëm të cilët do ta shqetësonin atë së tepërmi. Gjithashtu është shumë e rëndësishme që gruaja të qëndrojë vetëm me personat e saj të dashur sepse duke qënë se niveli i hormoneve estrogjen dhe progresteron bie ndjeshëm, rreziku për t’u shfaqur shenjat e depresionit post-partum është shumë i madh. Një tjetër vështirësi e nënës pas lindjes është të kuptuarit e nevojave dhe ritmeve të fëmijës, pa harruar të përmendim stabilizimin e gjidhënies, dhe nëse gjatë kësaj kohe ajo do të përballej edhe me vizita të shumta ankthi që do të përjetonte do të ishte tepër i madh duke e bërë gjithçka edhe më të vështirë.

Familja duhet të jetë e qetë…

Ky është momenti kur familja e re fillon gradualisht të krijojë një ambient familjar, i cili nuk është aspak i njëjtë me atë të spitalit. Ata kanë nevojë të qetësohen, te flenë dhe të qëndrojnë në intimitetin e tyre në mënyrë që të njihen me të porsalindurin…

Atëherë një këshillë për të gjithë të afërmit e familjes së re: 5 ditët e para pas lindjes janë shumë të rëndësishme për ata, për këtë arsye limitoni vizitat, e bëni këtë për një mirëqënie të fëmijës dhe prindërve të rinj. Dhe në ditët në vazhdim i kryeni vizitat duke respektuar oraret e aktiviteteve të veçanta!