Mosha kur humbas virgjërinë përcaktohet nga gjenet

Në çfarë moshe e keni humbur virgjërinë? Ndoshta dhe nuk e keni humbur akoma.

Por, sido që të jetë, momenti kur ju do të humbisni virgjërinë varet nga gjenet tuaja. Ky është rezultati i studimit shumëvjeçar të gjenetistit John Perry, i cili punon në Njësinë e Epidemiologjisë MRC, në Universitetin e Kembrixhit. “Njerëzit mendojnë se është tërësisht zgjedhja e tyre. Por nuk është”, thotë ai.

Perry pranon se faktorë si mjedisi shoqëror, struktura familjare, presioni i kolegëve, i kulturës dhe ndikimet fetare… të gjitha këto mund të ndikojnë në moshën kur dikush fillon të bëjë seks. “Juve nuk ju duhet një shkencëtar që ta dini këtë”- thotë ai. Por, gjenetisti gjithashtu beson se këto sjellje kanë një trashëgimi gjenetike.

Perry dhe ekipi i tij kanë marrë në studim rreth 125.000 njerëz, tek të cilët kanë analizuar të dhënat e AND-së, analizat e urinës, mënyrën e jetesës etj. Ata zbuluan se 25% e zgjedhjes së momentit për të humbur virgjërinë varet nga gjenet. Po, 25%! “Pra, gjenet luajnë një rol të rëndësishëm në sjelljen tuaj riprodhuese”, pohon studiuesi. 75% i mbetur varet nga ushqyerja, edukimi, dhe mënyra e rritjes.

Ky studim gjeti gjithashtu 38 rajone në përbërjen gjenetike të trupit, që gjithashtu kanë kontribuar në këto momente të jetës. Gjenet e njerëzve nuk i përcaktojnë veprimet në mënyrë të menjëhershme, si psh. “Të humbasësh virgjërinë”.  Por, ato përcaktojnë aspektet e jetës që mund të ndikojnë kur dikush zgjedh që të kryejë marrëdhënie seksuale, si edhe moshën e pubertetit apo moshën e pjekurisë.

“Ne kemi treguar se puberteti i hershëm ndikon në moshën kur njerëzit kryejnë marrëdhënien e parë seksuale”- thotë Perry. Puberteti i hershëm gjithashtu lidhet me moshën se kur bëhemi me fëmijë për herë të parë si edhe me nivelin e edukimit. Psh., kur puberteti ndodh më herët bëhet më e vështirë për t’u përqendruar në shkollë.

Një nga gjenet e gjetura që kanë lidhje me moshën kur një njeri humb virgjërinë është CADM2. Mendohet se ky gjen ndikon edhe në gjasat e dikujt për të marrë përsipër rreziqe. Gjithashtu lidhet edhe me numrin e fëmijëve që një njeri mund të lindë.  Një tjetër gjen, MSRA, lidhet me nervozizmin i cili ndikon që personi ta humbasë virgjërinë më vonë.  “Shumica e tipareve dhe karakterit njerëzor kanë një përforcim gjenetik”, shton Perry.

Është pikërisht kombinimi i këtyre tipareve me njëri-tjetrin të cilët ndikojnë në vendimmarrjen e njeriut, ku përfshihet edhe seksi.