Mot me akull, politikë me ngrica

loading...

Temperaturat e ulëta dhe ngricat që kanë përfshirë vendin po reflektohen edhe në politikë. Pesë muaj para mbajtjes së zgjedhjeve, partitë kryesore politike nuk kanë arritur të bien dakord për asnjë pikë për reformën zgjedhore. “Temperaturat” më të ulëta duket se janë mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Shkak është bërë një paketë propozimesh e LSI-së për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Një nga pikat kryesore të LSI-së është ajo për aplikimin e listave të hapura të kandidatëve në zgjedhjet e qershorit. Kjo është një kërkesë e hershme e LSI-së, që prej vitit 2008, e cila synon që qytetarët të kenë mundësi të votojnë për deputetët dhe jo për emrat e partive politike. Kjo është gjëja më e mirë që mund të bënte politika për të pastruar vetveten si dhe për t’i dhënë mundësi votuesit të zgjedhë cilët ai dëshiron dhe jo t’i caktojë kryetari i partisë.

Dje u mblodh Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore, ku temë kryesore ishte ndryshimi i Kodit Elektoral. Partia Socialiste me anë të bashkëkryetarit Taulant Balla deklaroi se, PS mbështeste çdo rekomandim të OSBE/ODIHR për zgjedhjet, por jo ndryshimin e sistemit aktual zgjedhor. Gjë që, nënkupton se PS-ja është kundër idesë së LSI-së për listat e hapura. Ky qëndrim i PS-së i prezantuar në rrugë zyrtare dje në komision ka sjellë dhe reagim e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në një prononcim për mediat, Petrit Vasili theksoi se, listat e hapura kanë qenë një kërkesë e hershme e LSI-së dhe pas dy zgjedhjeve parlamentare, kjo temë nuk duhet të jetë më tabu për t’u diskutuar. Duket se jo rastësisht Vasili kujtoi dhe vitin 2008, kohë kur LSI-ja hyri në grevë urie kundër PS-së dhe PD-së për ligjin e ri elektoral që miratuan. Pasojë e këtij ligji janë dhe listat e mbyllura, të cilat sot, praktikisht u japin ekskluzivitetin e zgjedhjes së deputetëve nga ana e kryetarëve të partisë dhe jo qytetarët. Demokratike është që votuesit duhet të zgjedhin deputetët e tyre e jo kryetari partisë.

Ndërsa PS ka dalë zyrtarisht hapur kundër listave të hapura, Partia Demokratike po mundohet të tërheq vëmendjen nga çështjet e ngritura nga LSI, duke u përqendruar te detajet që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor. Sa herë që janë vënë në diskutim çështjet e zgjedhjeve, PS dhe PD kanë arritur ta gjejnë gjuhën e përbashkët, duke debatuar vetëm për çështje që janë dytësore për reformën zgjedhore. Por duket se LSI ka dhënë dhe një zgjidhje për shqetësimet e ngritura nga PD-ja për standardet e zgjedhjeve. Petrit Vasili sugjeroi dje, që reforma zgjedhore, procesi i votimit dhe gjithë standardet elektorale të monitorohen jo vetën nga BE dhe organizata e saj, por edhe nga SHBA dhe posaçërisht administrata e re e Presidentit të zgjedhur Donald Trump.

Mbledhja e djeshme e Komisionit të Reformës në Drejtësi ishte e para për këtë vit. Palët vetëm rikonfirmuan se gjuha e dialogut duket ende larg, ndërkohë që, data e zgjedhjeve afrohet. “Acari” mes PS dhe PD ka qenë i pranishëm gjatë gjithë kohës, por ulja e temperaturave politike mes PS dhe LSI tregon se moti i akullt po përfshin edhe koalicionin. Duket se jo rastësisht edhe replikat e para nisën pikërisht për menaxhimin e situatës së krijuar në vend nga reshjet, ditët e para të këtij viti. Deputetë të PS-së nuk hezituan të akuzonin ministrat e LSI-së për menaxhimin e situatës dhe bllokimin e rrugëve nga bora. Por ishte ministri i Transporteve që shkoi nëpër rrugët e ngrira duke qenë vetë në krye të punëve. Një shembull që duhet inkurajuar se si punon me përkushtim një ministër. Por duhen edhe ministrat e tjerë. Nuk mjafton vetëm Sokol Dervishaj dhe Saimir Tahiri. Ndërkohë tani, nga rrugët e akullta debatet po kalojnë në çështjet e mprehta politike që priten të ndodhin këtë vit. Ndryshimi i Kodit Elektoral është reforma më e rëndësishme që do të votojë Kuvendi. Nëse PS dhe LSI nuk arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët për çështjet që i ndajnë, ka mundësi që kjo reformë të vendosë dhe të ardhmen e koalicionit.

PS-ja duhet të mendojë që më mirë të pranojë ndryshime në Kodin Zgjedhor siç i propozon LSI-ja dhe që janë në të mirë të popullit se sa të vërë në pikëpyetje koalicionin dhe të humbë pushtetin.

Edhe pak muaj mbeten, pasi ora ecën mbrapsht për PS-në.

loading...