Moti ekstrem shënon viktimën e tretë

Moti ekstrem ka shënuar viktimën e tretë në Maqedoni. Një grua 83 vjeçare nga Pehçeva dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e ngrirjes. Ndërkohë reshjet e dëborës me intensitet mesatar kanë përfshirë sot sërish vendin. Nga Enti Hidrometeorologjik thonë se reshjet e dëborës janë më të theksuara në pjesët lindore të vendit. Ekipet e shërbimit dimëror të Qytetit të Shkupit gjatë natës së kaluar deri në mëngjes kanë hedhur 250 tona krip në bulevardet dhe rrugët e tjera më të frekuentuara për ta parandaluar paraqitjen e ngricës. Por, kripa ka efekt vetëm deri në minus 6 gradë. Reshje të reja të borës, por kryesisht në pjesët jugore të Maqedonisë, paralajmërohen për nesër. Temperaturat e ulëta prej minus 15 gradë do të mbeten të enjten, ndërsa nga e premtja paralajmërohet rritje e temperaturave. Ndërkaq, të shtunën pritet valë e re e borës, sidomos në pjesën perëndimore të vendit.