Moti i keq paralizon Italinë e jugut, lumi i merr jetën një personi

Moti i keq që ka përfshirë prej disa ditësh Italinë Qëndrore është zhvendosur gjatë orëve të fundit në jug të vendit, duke shkaktuar një viktimë e duke përmbytur rrugë e shtëpi.

Reshjet e shumta të shiut dhe erërat e forta kanë shkaktuar daljen nga shtrati të lumenjve e dëme të mëdha në infrastrukturën e disa zonave në rajonet e Siçilisë e Kalabrisë.

Autoritetet lokale kanë shpallur në këto rajone gjendjen e emergjencës me kod të kuq, duke detyruar dhe mbylljen e shkollave.

Dalja nga shtrati i lumit në komunën Castronovo në provincën e Palermos i ka shkaktuar humbjen e jetës një personi që po udhëtonte me makinën e tij, ndërkohë shumë automjete të tjera kanë mbetur për disa orë të bllokuara në zona të ndryshme të Palermos për shkak të mbylljes të rrugëve.

Shembjet e dheut kanë shkaktuar dhe mbylljen e linjës hekurudhore në rajonin e Siçilisë, ndërkohë që kryetarët e Bashkive dhe komunave të goditura nga moti i keq i bëjnë thirrje banorëve të mos lëvizin nga banesat e tyre.