Moti i keq, Prishtina shpall gjendjen e jashtëzakonshme

Komuna e Prishtinës ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për 48 orë për shkak të motit të keq, me reshje të dendura dëborë, ngrica dhe temperature shumë të uleta.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti i cili ka urdhëruar që të gjitha kompanitë e kontraktuara për pastrimin e rrugëve, me të gjitha kapacitetet që kanë duhet të jenë në terren.

“Përveç 8 kompanive aktuale, do të angazhohet edhe një kompani shtesë, në mënyrë që sa më shpejt të përmirësohet situata si në rrugët në qytet ashtu edhe në rrugët nëpër fshatra të Komunës së Prishtinës. Iu bëjmë thirrje edhe njëherë qytetarëve që të mos ngasin automjetet e tyre pa pajisjet dimërore, si dhe të mos parkojnë makinat në vendet ku pengojnë kompanitë e pastrimit të kryejnë punët e tyre. Masat e tilla të ndërmarra janë për të shmangur bllokimet dhe aksidentet eventuale, megjithëse deri më tani të gjitha rrugët kryesore janë të kalueshme.“