Mozaiku i Nënë Terezës, pritet certifikimi te rekordet Guiness

Mozaiku unikal me portretin e Nënë Terezës, që është finalizuar në ditën madhështore të shqiptarëve nga artisti Saimir Strati, brenda muajit janar pritet të certifikohet nga autoritet e Librit të Rekordeve, me seli në Londër. Rekordmeni Strati ka javë që ka depozituar dokumentacionin e nevojshëm te autoritetet e librit të rekordeve, në mënyrë që për të dhjetën herë emri i tij të shkruhet në librin “Guiness”. Kjo vepër, e cila është e përbërë nga një milionë e gjysmë kapëse teli, tashmë është futur në kategoritë e reja të librit të rekordeve, ndërsa Strati beson që brenda muajit të parë të vitit do të jetë përsëri në vargun e rekordeve.
“Paqja fillon me një buzëqeshje” është ky një nga mesazhet më të njohura të Shën Terezës, të cilin artisti Strati e ka stampuar në gjuhën angleze, në këtë vepër e cila u ndërtua vetëm për njëzet e tetë ditë. Ky portretet i veçantë i nobelistes Nëna Terezë, tashmë e shenjtëruar nga Vatikani, sipas artistit Strati është një dedikim dhe mirënjohje për punën humane që ka bërë ajo. Por sipas tij, ideja për këtë formë mozaiku me anë të kapëseve ka ardhur nga shpërngulja e refugjatëve dhe kalimi i telave gjemborë në kufij të ndryshëm. “Dikur kam parë në televizor shpërngulje masive të refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe nga lufta. Diku në një qytet të Evropës kishte disa tela me gjemba që i pengonin. Dhe, aty mendova se vetëm Nënë Terezë mund t’i shpëtonte këta njerëz. Atëherë u bë ideja ime për ta bërë Nënë Terezën dhe materiali tashmë ishte gjetur, pra për të punuar diçka me tel. Dhe më pas mendoj se janë bërë shumë akte për paqe, janë bërë shumë konferenca dhe shumë letra të kapura me telin dhe gjithë ky tel ka shkuar në dëm. Mendova që kjo do të jetë “Nënë Terezë” do ta bëj në një dimension gjigant ashtu siç ka qenë, pavarësisht shtatit të shkurtër”, është shprehur më herët kur ka nisur punën për këtë mozaik artisti Saimir Strati.
Ky mozaik do të jetë pjesë e eksponateve të Muzeut të Kosovës dhe do të propozohet që të futet edhe në listën e përhershme të trashëgimisë kulturore të vendit dhe të trajtohet si aset i mbrojtur i shtetit. Saimir Strati e filloi karrierën e tij duke bërë restaurime të mozaikëve në Shqipëri në disa vende arkeologjike të Bylisit, Amantia dhe Apoloni. Ai është një anëtar i Shoqatës Britanike të Mozaikut Modern.