MPB konfirmon: Fetahu qe shpetoi Selën nuk është suspenduar nga puna

Punonjësi i sigurimit të Kuvendit Abdylfetah Alimi nga Orizarja e Kumanovës, i cili shpëtoi nga vdekja liderin e LR-PDSH-së, Ziadin Selën, nga MPB konfirmojnë për TetovaSot se ai nuk është suspenduar nga puna, siç u plasua lajmi në disa media të vendit, por se ndaj tij janë marrë masa disiplinore.

Nga MPB-ja thonë se është vlerësuar se Alimi nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të penguar hapjen e derës së Parlamentit nga brenda, dhe prandaj për këtë vepër ndaj tij është hapur procedurë disiplinore.

“Kolegu Fetah nuk është suspenduar nga puna. Është e vërtetë se ai ka qenë me detyrë pune për të siguruar derën e Parlamentit nga ku u futën protestuesit. Është vlerësuar se ai nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të penguar hapjen e derës së Parlamentit nga brenda. Për këtë arsye ndaj tij është hapur procedurë disiplinore, sikundër edhe ndaj policëve tjerë. Ai nuk është suspenduar nga puna. Fjalën përfundimtare do ta ketë Komisioni disiplinor”, thonë për TetovaSot nga MPB-ja.