Mrika Krasniqi: Arroganca e Arben Zharkut

Mora shkas të bëj këtë reagim kundër deklaratave te ulëta e poshtëruese të drejtorit të QKK-së Arben Zharkut, që kishte bërë kundrejt komunitetit artistik të Kosovës. Pikë së pari, një drejtor që përfaqëson një institucion që financohet nga populli nuk do të duhej të bënte një deklaratë kaq të ulët e poshtëruese ndaj 99% të komunitetit artistik që me vite refuzohen nga “Qendra e tij”. Po them e tij sepse QKK sot e sa vite drejtohet nga ai vetë dhe Klani i tij: një vit fitojnë projektin, vitin tjetër hyjnë në bord, vitin tjetër hyjnë në komision e vitin tjetër prapë kthehen e fitojnë projektin e radhës. Kështu ky rreth i mbyllur nuk shkëputet kurrë. Këtë e dinë të gjithë. E kishte thënë edhe vetë Zharku në deklaratën e tij: “T’njejtin njerz, me t’njejtat akuza, shpifje e rrena cdo vit…”-citon Zharku.

Pikë së dyti, deklarata e tij përmban dozën më të lartë të cinizmit e nënçmimit që mund të përdoret, duke përulur e kontestuar profesionalizmin e shumë filmbërësve kosovarë të cilët kanë dëshmuar punën e tyre më larg se “Katundi i tij” dhe rrethi vicioz që përfaqëson. Madje Zharku shkon më lart, duke dashur që konfliktin ta shtrijë dhe ta zhvendosë dikund tjetër e përdor gjoja mbrojtjen e Jurisë dhe këshillit drejtues, siç thotë; -“Po m’vjen shume keq qe plot anetar te jurise e edhe keshillit drejtues te QKK-se padrejtesisht ofendohen publikisht nga ata te cilet pike se pari ishte dasht me mendu se pse idete e tyre filmike nuk po pelqehen, se cka ish dasht me bo qe me rrite standardin dhe ambicjet e tyre artistike; e jo me humb gjith ate energji e me vjell gjith ate negativitet ne publik…”-citon Zharku. Sipas Zharkut, kundërshtimi i rezultateve të QKK-së së tij qenka negativitet!!! Në vend të vetëreflektimit dhe unifikimit apo përballjes me komunitetin artistik, ai zgjedh sulmin më banal e më poshtërues për një njeri të kulturës. Sjellja e tij thua se QKK-në ia ka lënë amanet baba e babgjyshi e jo që me paret e 99% artistëve që e kanë kundërshtuar ai merr rroge që sa vite dhe shëtitet poshtë e përpjetë botës.

Pikë së treti, unë jam me artistin shqiptar sepse e di vet çfarë do të thotë të refuzohesh e nënçmohesh nga Qendra juaj. Kurrë s’kam reaguar, por jam munduar të punoj e “të rris standardin artistik” sepse kam dashur të besoj tek institucionet e shtetit tim. Tek institucionet që ju i shkatërruat dhe s’ka njeri në botë që t’ju zërë më besë, sepse jeni përlyer kokë e këmbë. E keni vrarë shpresën dhe ardhmërinë e shumë artistëve që mund të përfaqësonin me dinjitet vendin e tyre. Jo të gjithë kanë forcën dhe vullnetin për të kapërdirë helmin tuaj. Jo të gjithë kanë mbështetjen dhe fatin tim që të vlerësohen e kuptohen nga juritë që s’i ke fis e as farë, por të vlerësojnë sinqerisht për punën që bën me përkushtim e ndershmëri. Fundja, nesër askush nuk do ti mbajë mend ata që e shiten dinjitetin e tyre për një kafshatë bukë e për interesa personale e klanore e partiake. Arti kurrë nuk e toleron një paturpësi të tillë. Andaj unë e mbështes dhe inkurajoj artistin shqiptar që të krijojë me dinjitet dhe guxim, të ngrejë zërin ndaj padrejtësisë që po ja bëni “sepse bota i përket Atij që Guxon”.

 

Sinqerisht,

Mrika Krasniqi

(Honorted “Woman of the Year” by U.S Congress)