A mund të bëhen vendet e Ballkanit vatra të reja të ekstremizmit islamik?

 

Në takimin e javës së kaluar në Vjenë deklaratat zyrtare nga përfaqësuesit boshnjakë dhe shqiptarë duket se konfirmuan se tendenca për xhihadistët e Ballkanit për t’u bashkuar me të ashtuquajturin “Shtetin Islamik” (IS) dhe rrjete të tjera radikale në Siri dhe Irak është shuar. Vlerësimet për numrin e xhihadëve nga Ballkani që u bashkuan me IS variojnë nga një mijë në disa mijëra militantë, por vështirë se ndonjë luftëtar nga Ballkani është larguar nga rajoni për në fushat e betejës në Lindjen e Mesme në dy vitet e fundit.

Pavarësisht nga ky sukses, një prani e vogël por e rëndësishme radikale vendore në vendet e Ballkanit, të ndihmuar nga luftëtarët e IS-it që kthehen, po u shkakton dhimbje koke edhe më të mëdha disa kryeqyteteve dhe ekspertëve perëndimorë.

“Nuk ka ekstremistë që janë nisur për në Siri dhe Irak në dy vitet e fundit,” tha për DW-në Vedran Dzihic, ekspert në Institutin Austriak për Çështjet Ndërkombëtare. “Por ajo që mbetet është një dukuri lokale.” “Salafistë, xhihadistë dhe ekstremistë islamikë janë këtu – infrastruktura e tyre është e paprekur, dhe tani ata janë të përqendruar në disa vende dhe në rajon si tërësi”.

Vedran Dzihic mendon se rreth 30 deri në 40 përqind e atyre që u larguan nga Kosova ose Bosnja për në Siri apo Irak, ose u vranë ose qëndruan atje. Rreth 150 mendohet se janë kthyer në Bosnjë dhe më pak se 120 në Kosovë. “Problemi i këtyre të kthyerve ekziston dhe ata përbëjnë patjetër një kërcënim për sigurinë”, thotë ai.

Qeveria e SHBA-së është gjithashtu e vetëdijshme për problemin. Zëvendësndihmës sekretari Hoyt Yee kohët e fundit tha në një seancë në Uashington se “duhet bërë më shumë.”

“Për shkak se të konvertuar në ekstremizëm janë kthyer në shtëpi nga fusha e betejës ose radikalizohen në vend, qeveritë e Ballkanit janë të shqetësuara se do të ketë një rritje të dhunës, intolerancës dhe ekstremizmit në rajon – dhe ndoshta këto mund të eksportohen në veri dhe në perëndim”, tha Yee më 17 maj, para Nënkomitetit për Çështjet e Jashtme për Evropën, Euroazinë dhe Kërcënimet në Zhvillim.