Mustafa: Ekstremizmi dhe radikalizmi nuk kanë atdhe

Ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi janë dukuri të cilat po rrezikojnë shoqërinë, ka thënë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Këto komente, Mustafa i ka bërë gjatë konferencës Ndërkombëtare Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Ekstremizmi dhe radikalizmi, ka vijuar Mustafa “nuk kanë atdhe, nuk e kanë një lokacion të caktuar, por po e mundojnë botën bashkëkohore dhe po paraqesin rrezik për njerëzimin, për paqen dhe sidomos për njerëzit e pafajshëm”.
Mustafa ka thënë se Kosova po i bën përpjekjet t’i identifikoj se cilët janë faktorët apo çfarë janë shkaqet e dukurive të tilla.
“A janë faktorët ekonomikë, socialë, arsimor, kulturor, a janë faktorët fetarë, a janë ambicie për të shprehur egon individuale apo grupore”, është shprehur ai.
Kryeministri I Kosovës ka thënë po ashtu se është vështirë të vihet deri te konstatime të caktuara.
“Mirëpo ajo çfarë bashkërisht kemi konstatuar, është e domosdoshme që të gjithë ne të marrim masa, të punojmë bashkërisht, jo vetëm në Kosovë, por të punojmë edhe me vendet fqinje, me të gjitha vendet tjera, sepse është një problem që nuk i përket vetëm një vendi, nuk i përket vetëm Kosovës, por bashkërisht mund ta mundim, dhe mund ta mundim vetëm nëse punojmë bashkërisht”, ka thënë Mustafa.