Mustafa: Populli i Kosovës është populli më proamerikan në glob

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa gjatë një shkrimi të postuar në Facebook është shprehur se partneriteti i Kosovës me SHBA-të është i bazuar në besimin reciprok ndërmjet njerëzve dhe elitave të të gjitha orientimeve politike.

Postimi i plotë i kryeministrit Mustafa:

Të dashur miq,

Partneriteti i Kosovës me SHBA-të është i bazuar në besimin reciprok ndërmjet njerëzve dhe elitave të të gjitha orientimeve politike, i krijuar dhe sprovuar për dhjetëra vjet me radhë. Përkrahja e pazëvendësueshme amerikane ishte vendimtare për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Populli i Kosovës është botërisht i njohur si populli më proamerikan në glob. Andaj, lajmet e mira që na vijnë nga administrata amerikane nën lidershipin e Presidentit Trump janë të pritura dhe të nevojshme për të rikonfirmuar partneritetin strategjik ndërmjet dy shteteve. Prania e KFOR-it amerikan në Kosovë është garanci e stabilitetit në krejt rajonin, ndërkaq formimi i Ushtrisë së Kosovës në koordinim me SHBA-të dhe vendet tjera mike në kuadër të NATO-s, do të jetë faktor i fuqishëm për rujtjen e paqes dhe ballafaqimin me sfidat rajonale e globale me të cilat mund të ballafaqohemi së bashku me vendet demokratike.