Muzeu mobil i Kosovës, më 5,6,7 dhjetor vjen në Shkup

Pas vizitave të suksesshme në disa pjesë të Kosovës, javën e ardhshme, më 5, 6 dhe 7 dhjetor 2016, vjen në Shkup Muzeu mobil i Kosovës, i cili para qytetarëve dhe nxënësve të disa shkollave fillore dhe të mesme të Komunës Çair të Shkupit, do të promovojë disa nga vlerat e trashëgimisë kulturore të shqiptarëve.

Kështu, më 5 dhjetor (e hënë), Muzeu mobil do të lëvizë në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, kurse më 6 dhe 7 dhjetor (e martë – e mërkurë), do të gjendet para nxënësve të disa shkollave të Shkupit. Muzeu i Kosovës, ka krijuar një muze mobil qëllimi i të cilit është promovimi i vlerave kulturore në kuadër të ndërlidhjes së tyre me turizmin kulturorë dhe promovimin e trashëgimisë kulturore në Kosovë dhe më gjerë. Përmes këtij projekti, nxënësit kanë mundësi të shohin dhe prekin nga afër pjesë të trashëgimisë dhe artefakteve kulturore.

Organizator i këtij aktiviteti është Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore i Shqiptarëve (ITSHKSH) në Shkup, në bashkëpunim me Muzeun e Kosovës dhe Komunën Çair të Shkupit.