Ndahet nga jeta aktori Bujar Lako

Aktori i njohur i kinematografisë dhe teatrit Bujar Lako u nda nga jeta mëngjesin e sotëm në moshën 68- vjeçare, në Tiranë, si pasojë e një ataku në zemër.

Jetëshkrimi

Bujar Lako lindi në Tiranë më vitin 1948. Është një aktor i mirënjohur shqiptar. Karrierën si aktor e fillon në Teatrin Kombëtar pas mbarimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, më 1973. Shumë shpejt bëhet i njohur nëpërmjet filmave “Në fillim të verës” i G. Erebarës dhe “Përballimi” i V. Gjikës. Pas kësaj ai realizon një sere figurash në rreth tridhjetë filma midis të cilëve mund të përmendim: “Gjeneral gramafoni” V. Gjika, “Udha e shkronjave” V. Prifti, “Ballë per ballë” K. Çashku, P. Milkani, “Kthimi i ushtrisë se vdekur” dhe “Gurët e shtëpisë sime” Dh. Anagnosti, “Amiko” Cizia Zyke, produksion francez.

Në teatër ka interpretuar rreth shtatëdhjetë role, midis të cilëve veçomë: “Vizita e inspektorit” Xh. Pristli, (Dh. Pecani), `Monserati” E. Robles (P. Mani), “Vdekja e një komisioneri” A. Miler (F. Haxhiraj), “Vdekja e Dantonit” Byhner (V. Milçin), “Ditë vere” Mrozhek, (B. Lako), “Ariu” Çehov (S. Duni) etj. Në vitin 1992 interepreton në Teatrin e Kombësive ne Shkup në produksionin “Varrtarët” .