Ndeshja eliminatorët e botërorit Shqipëri-Izrael nën frikën e ISIS


Ndeshja eliminatorët e botërorit Shqipëri-Izrael nën  frikën e ISIS

Ndeshja e sotme Shqipëri-Izrael është ndër të paktat raste kur vëmendja nuk është tek loja e futbollit, por të siguria. Dyshimet për ndonjë atentat të mundshëm terrorist janë kthyer në një frikë kolektive. Edhe pse institucionet e sigurisë thonë se masat janë paraprake dhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, mijëra policë kanë dalë të patrullojnë prej dy ditësh në Elbasan dhe Tiranë duke krijuar gjendjen e alarmit.

Për drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit vëmendja e opinionit duhet të përqendrohet tek loja e futbollit.  Ekspertë të sigurisë thonë se, media shqiptare po e “frynë” më shumë sesa duhet rrezikun e një sulmi terrorist. Në fakt nuk është vetëm media shqiptare ajo që po flet prej dy ditësh për plane të zbuluara nga policia për sulme. Për ekstremistë të dyshuar si islamikë që kishin bërë gati bombat dhe armët për një masakër të frikshme, thonë burimet. Po këto janë burime të dalë nga policia, se një celulë e rrezikshme ekstremiste në Shkodër dhe në Kosovë ka marrë urdhër nga terroristë shqiptarë në Siri për të sulmuar gjatë ndeshjes me Izraelin. Janë pjesa më e madhe e mediave serioze ndërkombëtare që flasin për një rrezik real.

Edhe nëse nuk besohen mediat, rreth 2 mijë forca policie që janë vendosur në Elbasan janë të mjaftueshme për të kuptuar se diçka është sinjalizuar. Pse gjithë këta policë, që nuk janë parë as kur erdhi kombëtarja e Serbisë? Pse këto masa antiterror? Pra, ka sinjale të besueshme se diçka po luhet. Prej 3 ditësh forcat e antiterrorit, ekspertët e krimit terrorist, agjentët e Shërbimit Informativ Shtetëror janë vendosur në Elbasan. Rrugët që lidhin Tiranën me Elbasanin kanë më shumë policë sesa makina dhe qytetarë. Tuneli i Elbasanit u mbyll dje për herë të parë jo nga shkaqe teknike, por për ta hequr atë nga lista e objekteve që mund të jenë objekt i një sulmi terrorist. Rreth stadiumit “Elbasan Arena” lokalet, dyqanet dhe gjithë bizneset janë në monitorim dhe sot do të mbyllen që në orët e mesditës. I gjithë qyteti është në gjendje shtetrrethimi, si në prag lufte. Banorët e pallateve përballë stadiumit do të lënë shtëpitë dhe nuk do të lejohen të jenë në shtëpitë e tyre. Pse pra?!

Ndërkohë, ajo që ka shtuar dhe më shumë zërat për frikën e atentateve është dhe prania e shtuar e forcave sekrete të Shërbimit Izraelit. Mossad është një nga shërbimet që për nga profesionalizmi rivalizon CIA-n amerikane. Zërat që kanë qarkulluar këto ditë për ardhjen e dhjetëra agjentëve izraelitë e kanë bërë edhe më serioze gjendjen në Shqipëri. Por njëkohësisht kanë ngritur pikëpyetje, se a janë institucionet tona të afta për të përballuar të vetme situata të ngjashme? Në Shkodër, ku ishte planifikuar ndeshja u kapën 4 të dyshuar për terrorizëm, por realisht sa të tjerë enden të lirë? Nën survejim janë shumë prej këtij kontingjenti.

Nuk është e qartë se çfarë ishte planifikuar të ndodhte në Shkodër nga 4 personat e arrestuar një javë më parë për terrorizëm, pavarësisht se familjarët thonë se janë arrestuar kot.

Në vend që të jetë një ndeshje futbolli normal, me emocione sportive, me tifozeri të zjarrtë, po kthehet në një makth nga frika e ISIS-it. Ky është dëmi më i madh jo vetëm për futbollin, por dhe për normalitetin në vend./kohajone