Ne 2017 rikthehen vizat

Në 2017 në Europë pritet të hyjë në fuqi mekanizmi i ri për pezullimin e vizave. Në një intervistë për RTSH-në, zëdhënësja e KE-së, Tove Ernst shpjegon se ky është një mekanizëm që u takon më shumë se 60 shteteve me të cilat BE ka marrëveshje për regjimin e lirë të udhëtimit.

Në 8 dhjetor Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian miratoi një mekanizëm për rikthimin e vizave i cili do aktivizohet në disa rrethana. Së pari, në rastet kur ka rritje të konsiderueshme të numrit të shtetasve të një vendi të tretë, të cilëve iu është refuzuar hyrja apo që kanë qëndruar në mënyrë të parregullt në territorin e BE-së; kur ka rritje të konsiderueshme të kërkesave të pabaza për azil; dhe së treti, mungesë të bashkëpunimit në marrëveshjet e ripranimit që kanë të bëjnë me kthimin e emigrantëve.

Zëdhënësja Tove Ernst thotë se kjo bëhet me synim forcimin e politikave të BE-së për sigurinë. I njëjti motiv sipas saj shtyn unionin që të paraqesë edhe Sistemin Europian të Informacionit të Udhëtimit që në Europë pritet të hyjë në fuqi vetëm në fillim të vitit 2021.

Sipas zëdhënëses ky është një sistem, i cili verifikon personat që përbëjnë rrezik për sigurinë ose janë emigrante të parregullt. Për të gjithë ata që do hyjnë në një vend të BE-së do plotësojnë online, pra përmes internetit një formular që kushton në vlerë monetare 5 euro dhe në kohe fizike pak minuta. Për aplikimin i cili është i vlefshëm 5 vjet nevojiten kryesisht të dhënat e pasaportës. Për shumicën e udhëtarëve në 95% të rasteve aplikuesit marrin menjëherë përgjigje pozitive dhe ky formular do paraqitet në kufirin përkatës.

Në një numër mjaft të ulët rastesh, mund të nevojitet verifikim informacionesh shtesë nëse paraqitet ndonjë shqetësim për sigurinë, apo për migracionin e paligjshëm dhe sistemi këtë do tregojë. Të moshuarit, ose personat që nuk kanë qasje në internet, apo nuk kanë llogari bankare, mund ta bëjnë kërkesën përmes të afërmve të tyre, apo agjencive të udhëtimit. Në rast të kundërt, aplikimi mund të bëhet edhe në kufirin hyrës europian, pasi parashikohet vendosja e pajisjeve të posaçme për këtë qëllim, por kjo mund të shkaktojë radhë të gjata e vonesa.