Në barnatoret e Kosovës shiten qetësuesit si në ‘market’, ato i zëvendësojnë drogat

Arsyeja pse në Kosovë ndodh përdorimi i barnave pa kujdes sipas doktorëve është mungesa e informimit për pasojat negative që i kanë, sidomos barnat qetësuese, si Lexilium, Bensedin , Diazepam etj.

Barnat e lartë cekura janë barna qetësuese dhe zakonisht përdoren për trajtim të ansiozitetit të rëndë ( ndjenja e tensionimit shpirtëror e brengosjes e cila ndikon në emocione, në të menduar, disponim dhe sjellje), shkruan portali Arbresh. info.

Këto barna sipas ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale nuk duhet të shiten pa përshkrimin e mjekut dhe nuk mund të përdoren më shumë se 12 javë, sepse shumë lehtë mundë të krijohen varësi nga to.

Qetësuesit dhe “benzodiazepinat” kanë efekte të menjëhershme të largimit të stresit. Shumë specialistë thonë se këto barna kur kombinohen ndikojnë që shumë njerëz të kalojnë edhe në mbidozë.

Qetësuesit më të përhapur në Kosovë janë “Diazepami”, “Bensedini” dhe “Lexiliumi”.

E keqja e këtyre qetësuesve është se përdoruesit e drogave mund të bëjnë zëvendësimin e drogës së caktuar me këto barna. Këto barna shiten në çdo barnatore të licencuar dhe pa pikë problemi hyn dhe i blen çdo qytetar.

Arbresh.info ka hyrë në disa barnatore për të kërkuar njërën nga këto barna dhe shërbimi nga ana e tyre ka qenë i menjëhershëm.  Arsyetimi i disa prej shitësve të barnatoreve për shërbimin e shpejt edhe pa përshkrim të mjekut, ishte se po ju njohim në sy dhe për atë ju shërbyem.

Po ashtu Arbresh.info ka kontaktuar edhe doktor Jusuf Ulajn neuropsikiatër, i cili thotë se edhe pse në barnatoret e Kosovës është e ndaluar të shiten ilaçe të tilla pa përshkrimin e mjekut, këtu mund të blihen të gjitha medikamentet që ndikojnë në sistemin nervor qendror e që sipas tij, mund të kenë efekte katastrofale për jetën e pacientit.

“Çdo medikament ka efekte anësore dhe mjeku mendon shumë para se ta përshkruaj atë. Rreziku më i madh është se, fillimisht medikamenti  e qetëson përkohësisht gjendjen. Por shumë shpejtë zhvillohet vartësia në të dhe pacienti përpos sëmundjes bazë që mund të jetë ankthi, fiton edhe një sëmundje tjetër qe është sëmundja e vartësisë në medikamente”, shprehet Ulaj.

Ai thotë se në barnatoret e Kosovës  nuk janë vetëm Lexiliuma, Bensedina por edhe narkoanalgjetikët mund të blihen pa recetë mjeku.

Kjo sipas tij, është një mjerim në të cilin ndodhen shëndetësia dhe shërbimi farmaceutik.

“Merren me strategjia të mëdha, në anën tjetër popullata furnizohen me ilaçe “sipas dëshirës dhe si iu ka thënë dikush”. Kjo ndikon ne shtimin e sëmundjeve të vartësisë që është në rritje e sipër dita ditës”, tha Ulaj .

Ndërsa kryeinspektorja e Inspektoratit Farmaceutik të Shëndetësisë, Remzie Thaçi ka konfirmuar për Arbresh.info se Inspektorati farmaceutik bënë kontrolla permanente në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Ajo thotë se në bazë të ankesave apo kërkesave të qytetarëve për produkte të caktuara  por edhe për subjekte të caktuara në Ligjin për Produkte dhe pajisje Medicinale  04-L/190 merren masa ndëshkuese për parregullsi.

“Mund ta përmendi një rast në Fushë Kosovë ku një të miture i është shitur produkti psikotrop, subjektit i është shqiptuar gjoba nga Inspektorati Farmaceutik, kurse me procedura tjera është marrë Policia e Kosovës.”, përfundoi Thaçi .