Në Bruksel votuan 117 nga 284 votues të paraqitur

Plot 117 shtetas, nga gjithsej 284 të paraqitur, sot votuan në ambasadën e Maqedonisë në Bruksel, në suaza të votimit të diasporës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Republikën e Maqedonisë.

Revoltë dhe pakënaqësi shprehën një numr i madh të shtetasve të Maqedonisë në vendvotimin 5003, pasi që sipas tyre, edhe pse, rregullisht janë paraqitur sot ato nuk arritën ta realizojnë të drejtën e tyre të votimit dhe të votojnë.

Sipas këshillit zgjedhor në vendvotimin në Mbretërinë e Belgjikës, saktë 52 persona janë kthyer, sepse nuk kanë qenë në listën e votuesve.

Nga këshilli zgjedhor i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në Bruksel, thanë se gjithsej 284 persona ishin të regjistruar dhe kishin të drejtë sot të votojnë në Bruksel, prej të cilëve mbi 90 për qind nga votuesit e paraqitur atë e kanë bërë në mënyrë elektronike, përmes internetit, dhe thonë se ata të cilët sot nuk ishin në listë, me siguri nuk kanë pasur paraqitje të suksesshme në internet.

Përndryshe, gjithsej 20.573 shtetas të Maqedonisë janë regjistruar për votimin e sotëm në diasporë, të cilët kishin të drejtë ta realizojnë në 46 përfaqësi konsullore diplomatike.

Katër parti politike dhe koalicione kanë kandidatë të tyre në diasporë, me ç’rast që një të marrë vend të Kuvendin e Maqedonisë, duhet të marrë minimum 6.500 vota.