”Në emër të dashnisë” mbahet parada e parë e homoseksualëve në Kosovë

Në Kosovë do të mbahet për herë të parë Parada e komunitetit LGBT, ku pjesë e saj do të jenë dhe përkrahësit e tyre, takim ky i cili do të përcillet me aktivitete paraprake të Javës së Krenarisë.

Kjo paradë bëhet e ditur se do të mbahet më 10 tetor ndërsa aktivitetet paraprake do zhvillohen me datat 06 dhe 09 tetor, thuhet në komunikatën e dërguar, transmeton Klan Kosova.

Pas tre marsheve, ky do të jetë viti i parë që mbahet Parada e Krenarisë e cila do të filloj në ora 11:30 në sheshin „Skënderbeu“ dhe do të përfundoi në sheshin „Zahir Pajaziti“. Pas përfundimit të paradës do të mbahet një fjalim në lidhje me ngjarjen dhe do të përfundoj me një koncert të shkurtë.

Tutje në njoftimin e tyre thuhet se motoja e paradës së parë të komunitetit LGBT, do të jetë ‚‘Në emër të Dashnisë‘‘, transmeton Klan Kosova.

”Kjo moto ka për qëllim ngritjen e vetëdijes te qytetarët për të treguar që komuniteti LGBTI ashtu si edhe gjithë shoqëria mund të duan dhe të dashurojnë, si dhe largimin e paragjykimeve që shoqëria kosovare i ka për komunitetin”.

Komuniteti LGBT në Kosovë, gjithashtu fton institucionet relevante që të angazhohen më shumë në zbatimin e ligjeve, strategjive të parandalimit të dhunës ndaj komunitetit LGBTI dhe ofrimin e shërbimeve në mbrojtjen dhe mirëqenien e viktimave.

Në studimin e kryer nga National Democratic Institute- NDI ”Hulumtimi i mendimit publik për komunitetin LGBTI në Ballkanin Perëndimor”, Kosova del të jetë vendi më homofobik në rajon, ku personat e këtij komuniteti janë të diskriminuar në të gjitha fushat e jetës.

Poashtu komuniteti LGBT përmes komunikatës së dërguar fton të gjithë qytetarët e Kosovës të bashkëngjiten në Paradën e Krenarisë që kjo kauzë të bëhet më e zëshme, në mënyrë që shoqëria jonë të jetë më tolerante dhe pranuese ndaj diversitetit dhe dashnisë, transmeton Klan Kosova.