Në orën 14 mblidhet kryesia e BDI-së

Siç u prononcua mbrëmjen e djeshme zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, mbledhja e kryesisë së BDI-së do të mbahet përsëri sot në orën 14.00. Lajmi konfirmohet sot nga burime brenda kësaj partie. Sot është dhe afati i fundit për marrjen e një vendimi nga ana e BDI-së, sepse pikërisht sot është dhe afati  i fundit për mandatarin Gruevski të formojë qeverinë e re.

Mandatari Nikolla Gruevski, njëherazi edhe kryetar i VMRO-DPMNE -së, parti e cila në zgjedhjet e dhjetorit fitoi 51 mandate, ka afat deri sot në mesnatë për të formuar shumicë parlamentare me të cilën do të votonte përbërjen e re qeveritare. Nga ajo që dihet zyrtarisht, Nikolla Gruevski, ka realizuar vetëm një takim me kandidatin potencial për qeverinë e re, Ali Ahmetin, dhe siç thuhet nga të dyja palët, takimi ka qenë në frymën e analizës së rezultateve zgjedhore dhe nuk është biseduar për qeverinë.

Gruevski sot është në pritje të përgjigjes nga Ahmeti, partia e të cilit sot gjithashtu duhet të vendos nëse do të koalicionoj me VMRO-në e Gruevskit, apo LSDM-në opozitare të Zaevit.

Pikërisht për këtë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) sot mblidhet sërish në përpjekjen e radhës për të vendosur nëse do të koalicionoj me VMRO-në e Gruevskit apo LSDM-në opozitare.