Në Prishtinë, edhe profesorët ikin prej orëve të mësimit!

Nëse është aplikuar masa ndëshkuese, gati secili profesor i shkollave të mesme dhe gjimnazeve në Prishtinë e ka nga një vërejtje të shqiptuar. Rreth dy herë gjatë vitit profesorët kanë munguar pa leje.

Prishtina ka trembëdhjetë shkolla të nivelit të arsimit të mesëm të lartë (X-XII) dhe orët e planifikuara për nivelin e tretë të arsimit parauniversitar, për vitin shkollor 2015/16 kanë qenë gjithsej 359 491, janë realizuar 349 458 orë. Nga këto shifra del se nxënësit e këtij niveli të arsimit gjatë vitit shkollor i kanë humbur 10 033 orë.

Shkaktar i humbjes së mësimit ka qenë mungesa e profesorëve në shkolla.

Në këtë nivel të arsimit, gjatë vitit shkollor 2015/16, profesorët kanë bërë 7 402 mungesa, apo 12.19 mungesa për mësimdhënës, prej tyre të arsyeshme: 6 307 ose 10.39 mungesa për mësimdhënës, të paarsyeshme 1 095, apo 1.80 mungesa për mësimdhënës, shkruan lajmi.net.

Këto të dhëna i ka nxjerr vetë Drejtoria e Arsimit të Komunës së Prishtinës, me të cilat e ka hartuar edhe një raport lidhur me përfundimin e vitit shkollor 2015/16 në Komunën e Prishtinës, ku është bërë një vlerësim dhe analizë e përgjithshme, për ecurinë dhe performancën e procesit edukativo-arsimor. Raportin të cilin e posedon lajmi.net, pritet t’i dërgohet Kuvendit Komunal si informatë e përgjithshme, lidhur me suksesin dhe vijueshmërinë në shkolla për periudhën 2015/16.

Mungesa kanë edhe mësimdhënësit e nivelit fillor dhe të mesëm të ulët.

Në këtë nivel të arsimit, gjatë vitit shkollor 2015/16, janë regjistruar gjithsej 12 830 mungesa, apo, 7.91 mungesa për mësimdhënës, prej tyre të arsyeshme: 12 522, 7.72 mungesa për mësimdhënës, të paarsyeshme 308, apo 0.19 mungesa për mësimdhënës.

Rrugës së profesorëve kanë shkuar edhe gjimnazistët, veçse ata qëndrojnë shumë më keq se mësuesit e tyre. Mesatarisht kanë munguar pa arsye rreth 23 herë. Në 13 shkolla janë regjistruar gjithsej 547 303 mungesa, ose 30.21 mungesa për nxënës, të paarsyeshme 239 500 ose 23.53 mungesa për nxënës, raporton lajmi.net.

Ndërkaq, po sipas raportit, në nivelin e arsimit të mesëm të ulët, gjatë vitit shkollor 2015/16, janë regjistruar gjithsej 462 235 ose 32.77 mungesa për nxënës, prej tyre të arsyeshme janë 358 221 ose 25.39 mungesa për nxënës, të paarsyeshme 104 014, ose 7.37 mungesa për nxënës.

Në Komunën e Prishtinës, procesi edukativo-arsimor zhvillohet në 43 shkolla fillore dhe të mesme të ulëta, dhe 18 paralele të ndara fizike. Në këto shkolla mësimin në vitin shkollor 2015/16, e kanë vijuar 30 997 nxënës, të shpërndarë në 1 298 paralele, që i bie mesatarisht 23,88 nxënës për paralele. /Lajmi.net/