Në Tiranë bëhesh taksist vetëm nëse ke makinë të re

Në Tiranë bëhesh taksist vetëm nëse ke makinë të re

Tashmë do të jetë shumë më e vështirë për të marrë një licencë taksie në Tiranë. Çdo person apo subjekt që do të aplikojë në bashki për të marrë licencën, duhet të posedojë automjet të vitit të fundit. Ky është një nga ndryshimet themelore të rregullores për funksionimin e shërbimit taksi, e cila nuk e kufizon më numrin e licencave që do të jepen, raporton “Panorama”.

“Mbështetur në rregulloren që është aktualisht në zbatim, strukturat e bashkisë, sipas nenit 8, pika 3 e rregullores, që nga viti 2009 kanë plotësuar numrin 1000 të licencave taksi që aplikonin mbështetur mbi vitin dysheme 2000, ndërkohë që subjektet të cilat aplikojnë mbi këtë numër, që të pajisen me licencë në shërbim taksi, kanë si kusht vitin e prodhimit, i cili duhet të përputhet me vitin e aplikimit”, citohet në relacionin që do të shqyrtohet nga Këshilli Bashkiak në mbledhjen e së premtes, më 7 tetor.

Ky ndryshim nuk prek taksitë që janë të licencuara tashmë, por kjo nuk do të thotë që ata do t’ia hedhin lehtë. Kriter primar për ta është që automjeti i tyre të ketë një vjetërsi jo më shumë se 15 vite nga data që aplikojnë për t’u rilicencuar. Mes tyre, diferencën në rifitimin e licencës do ta bëjnë mjetet me teknologji të reja dhe ato që ndotin më pak .