NË ZGJEDHJE KA VETËM FITUES POLITIK, JO MORAL!

NË ZGJEDHJE KA VETËM FITUES POLITIK, JO MORAL!

Nga Sefer Tahiri

Zgjedhjet janë procesi më i rëndësishëm politik. Që të mos ketë keqkuptime teorike, e as pragmatike fitues i vërtetë është ai që do të ketë më shumë vota në ditën e zgjedhjeve. Fitues moral nuk ka, sepse kjo është betejë politike dhe nuk është betejë ku ka shumë etikë! Fatkeqësisht.
Sot, të gjithë janë të barabartë në garë dhe prej sot nuk shpallet fituesi dhe ata që e shpallin prej sot opozitën fituese më së paku që mund të thuhet japin vlerësime euforike për arsye subjektive, natyrisht me shumë dashamirësi, siç e pranojnë disa prej tyre për të larë mëkatet e së kaluarës, duke qenë mbështetës të flaktë vite me radhë të BDI-së. Falja është njerëzore!
Mbushja e sallave është vetëm një indikator, nuk është barometri thelbësor! As anketat. Fejsbuku edhe më pak.
Por nëse analizojmë pa eufori, me gjaktftohtësi jam i prirur të mendoj se do të fitojë ai që do të ketë më shumë vota në kuti e jo ata që do të tentojnë të mbushin kutitë. Për këta të fundit ka burgje! Po, po burgje dhe disa që janë dënuar për shkeljen e të drejtës së votës edhe sot janë në burg.
Prandaj, juve që ju thonë që të shpërndani para, që ju thonë të bëni presion, juve që ju thonë që të premtoni vende pune si kusht për marrjen e votës, mos u bëni pjesë e manipulimit elektoral. Pasi edhe në betejat më të mëdha, më të rënda liderët, urdhërdhënësit nuk dënohen, asnjë prej emrave markant nuk është në qeli, krejt janë të lirë. Prandaj, mos vidhni, mos vidhni dhe mos vidhni vota. Mos i pranoni urdhërat nga ata që mendojnë dhe praktikojnë thënien e njohur se “Politika nuk është lojë, është biznesi më serioz”. (Uinston Çurçill).
Vota e qytetarit vendos për të ardhmen, në botën demokratike ajo ka peshën më të lartë. Është themeli dhe kulmi i sistemit politik.
Vullneti i qytetarëve duhet respektuar, vullneti i sovranit është vendimtar.
Për fund, në kontekst të fitimtarit dhe jofitimtarit elektoral Xhon P. Rosh ka thënë “Unë nuk i jam referuar kurrë politikës si arenë e moralit. Ajo është arenë e interesave”.