Në Zvicër, edhe milionerët marrin ndihma sociale

 

Rritja e shumës që në Zvicër ndahet për shtesat ose kompensimet në pensione nga 3.6 miliardë franga sa ishte në vitin 2008, në 4.7 miliardë sot, përbën një fakt shqetësues për autoritetet përgjegjëse.

Duhet sqaruar se këtu nuk bëhet fjalë për ndihmat sociale në kuptimin e njohur por janë të ardhura plotësuese (Ergänzungsleistungen EL) për ata/ato që me të ardhurat që kanë, nuk i përmbushin nevojat e jetës. Kryesisht janë pensionistët ata që përfitojnë nga EL.

Ky shqetësim ka nxitur edhe emisionin “Rundschau” të transmetuesit publik të Zvicrës SRF që të bëjë një hulumtim me gjetje interesante, raporton Albinfo.ch.

Në mesin e atyre që shfrytëzojnë ndihmat sociale janë së paku dhjetë milionerë. Më saktë: këta persona kanë pasuri neto prej së paku një milion frangash në konto dhe megjithatë “kanë nevojë” për ndihmat sociale.

Po ashtu më shumë se 200 persona që marrin ndihma të tilla kanë pasur neto prej më shumë se 500 mijë frangash. Shumica e këtyre, sipas emisionit, jetojnë në Kantonin Baselland.

Një përgjegjës i kësaj fushe thotë se bëhet fjalë për një gabim në sistem, të cilin duhet korrigjuar.

“Ne sot kemi në sistemin e ndihmave kompensuese sociale (EL) njerëz, ekzistenca e të cilëve, shihet qartë se nuk është fare e rrezikuar, pra janë njerëz të pasur”, ka thënë ai për “Rundschau”.

Ndërsa deputetja nacionale nga CVP, Ruth Humbel kërkon vendosjen e një pragu, lloj kriteri për njerëzit që kanë të drejtë të përfitojnë nga ndihmat sociale, përcjell albinfo.ch. Ky prag sipas saj do të ishte pasuria prej 100 mijë frangash. Dhe, në këtë pasuri hyjnë: pronësia mbi truallin, pensioni, makinat, trashëgimia, kursimet dhe çfarëdo pasurie tjetër.

Ndërkaq Bashkësia e Pronarëve të Shtëpive nuk pajtohet me këtë qëndrim. “Kjo nënkupton që njerëzit e moshuar të detyrohen të lëshojnë shtëpitë e tyre”, thotë për emisionin, drejtori i kësaj bashkësie. Kjo për faktin se një pjesë e madhe e pasurisë së këtyre të pasurve konsiston pikërisht në shtëpitë që kanë në pronësi, transmeton albinfo.ch. Dhe kjo pasuri shërben edhe si një sigurim moshe. Ka shumë njerëz, që “me letra” janë të pasur por në fakt zotërojnë fare pak mjete në qarkullim (para).

Por, për deputeten Humbel ky argument nuk është bindës. Sipas saj, në rastet kur pasuria ekziston, nuk bën që ndihmat sociale ose shtesa për kompensim të veprojë si “mbrojtje e trashëgimisë”. Ajo thotë se nuk është e thënë që të moshuarit të dëbohen nga shtëpitë që kanë në pronësi.

Por, po ashtu, nëse ata e kanë menduar shtëpinë si një lloj sigurimi për pleqërinë, atëherë duhet edhe të mendojnë që ta “konsumojnë” atë.