Negociatat Trump-Putin, Rusia mund të njohë Kosovën

Tensionimi i ditëve të fundit mund të jetë ose jo i lidhur me ndryshimet në Shtëpinë e Bardhë, por një eksperte britanike thotë se qasja e re e dy superfuqive mund të sjellë njohjen e Kosovës nga Rusia

Një nga ekspertet dhe analistet më të respektuara britanike për Rusinë ka hedhur idenë se Rusia mund ta njohë pavarësinë e Kosovës, si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë mes Uashingtonit dhe Moskës, sapo Donald Trump të betohet si president. Mary Dejevsky, një ish-korrespondente e Moskës dhe Uashingtonit dhe tani shkrimtare për Guardian dhe anëtare e organizatës Chatham House, e ngriti idenë në revistën katolike britanike Tablet në botimin e 21 janarit, ku reflektohen pasojat e mundshme të një takimi të suksesshëm Trump-Putin në të ardhmen e afërt.

Trump vazhdimisht ka shprehur dëshirën për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin pas inaugurimit të tij dhe për të krijuar marrëdhënie të reja SHBA-Rusi. Dejevsky, që takon rregullisht liderë të Kremlinit përmes Valdai Group, ku zyrtarët rusë mblidhen çdo vjeshtë, sugjeroi se Moska mund ta njohë Kosovën si pjesë e një pakete që synon të mbyllë çështje të ndryshme diplomatike të pas-Luftës së Ftohtë, që kanë penguar marrëdhëniet mes fuqive.

Në artikull, Dejevsky e përshkruan Trump si një person të dhënë pas marrëveshjeve, i cili do të kuptojë shpejt nëse liderët rusë duan vërtet një marrëveshje dhe që do të largohej për të bërë marrëveshje të tjera nëse ndjen se gjërat nuk po ecin. Megjithatë, Dejevsky tha se Putin po investonte shumë në arritjen e një marrëveshjeje me administratën e re amerikane dhe kishte pak gjasa që ta linte rastin t’i ikte nga dora, pasi do të dëmtonte pozicionin e tij në atdhe.

Rusia ka kundërshtuar me kokëfortësi njohjen e Kosovës, një ish-provincë e aleatit të afërt Serbisë, që u nda me ndihmën e ushtrisë perëndimore në 1999 dhe shpalli pavarësinë e plotë në 2008.

Shumica e vendeve perëndimore, duke filluar me SHBA-në, kohë më parë kanë njohur shtetësinë e Kosovës, por vende si Serbia, Rusia, Kina dhe pesë shtete të ndryshme të BE-së dhe shumë vende të tjera nuk e kanë bërë. Ata që nuk e kanë njohur përfshijnë vende në Amerikën Qendrore dhe Latine dhe Azi, si dhe gjysmën e shteteve në Afrikë.

Ritmi i njohjeve është ngadalësuar në vitet e fundit; vitin e shkuar vetëm dy shtete e njohën Kosovën, Surinami dhe Singapori. Së bashku, rreth 110 vende nga 193 anëtare të OKB e kanë njohur vendin ballkanik.

Ndërsa njohja e Rusisë do të përshëndetej si një arritje e madhe në Kosovë, do të vinte si një tronditje e madhe për aleatin historik të Rusisë, Serbinë. Beogradi është zotuar të mos e pranojë shtetësinë e Kosovës dhe vazhdon të pretendojë se Kosova është pjesë e integruar e territorit kombëtar, megjithëse ka rënë dakord të “normalizojë” marrëdhëniet me Kosovën sipas kërkesave të BE-së.

Dy javë më parë në shkrimin mbi ndikimin që mund të ketë ardhja e Trump në rajon, MAPO referoi një burim diplomatik nga Prishtina, i cili pak a shumë pohonte mundësinë e një qartësimi të pozicioneve, por edhe një lidhje më të qartë të shqiptarëve me Uashingtonin.

Një diplomat i rëndësishëm i tha MAPO në kushte konfidencialiteti, se edhe nëse do shtrohet skenari i ndarjes së influencave, kjo do jetë pozitive për shqiptarët. “Kjo do të sjellë një ndarje të qartë, ku shqiptarët do të jenë më fort në krah të SHBA-ve dhe Serbia e vende të tjera në krah të Rusisë”, -tha ai. Ai shpjegoi se faktori shqiptar thjesht do përforconte qëndrimin e tij pro amerikan dhe vijonte nën ndikimin e Uashingtonit, madje duke marrë nga kjo edhe një Kosovë më të fortë në pavarësinë e saj.

Ndërkohë duket se nacionalizmi është duke marrë një hov të ri në rajon. Një tren i nisur nga Beogradi si manifestim i këtij nacionalizmi u kthye në rrugë, por pas tij erdhën kërcënimet për luftë. Madje Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, në një intervistë për Reuters tha se Serbia kishte një plan të ngjashëm me atë që Rusia implementoi në Krime për ta ndarë Veriun e Kosovës. Nga Beogradi nuk ka pasur një reagim për këtë, por krerët e shtetit atje kanë kërcënuar se nëse policia e Kosovës futet në Veri, atëherë atyre iu lind e drejta të dërgojnë atje ushtarë për të mbrojtur serbët që banojnë në atë zonë.

SHBA dhe Gjermania kanë reaguar duke i dalë në krah Kosovës për të mbrojtur kufijtë e saj. Ndërkohë Rusia përmes ministrit të Jashtëm mbrojti qëndrimet serbe, duke rikonfirmuar qëndrimin rus për Kosovën.

Serbia dhe Kosova kanë vite të angazhuara në një dialog që synon normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve me ndërmjetësimin e BE, por dialogu pak ka arritur dhe ai mbetet i kontestuar nga opozita në Prishtinë, për shkak se Serbia nuk i ka mbajtur angazhimet e marra, ndërsa Prishtina duket se po lëshon prej sovranitetit që fitoi pas luftës.

Sidoqoftë përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, i ka ftuar palët për takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve ndërmjet Beogradit e Prishtinës, për të martën më 24 janar, në Bruksel, ka njoftuar nëpërmjet një kumtese, Bashkimi Evropian. “Zhvillimet gjatë ditëve të kaluara e theksojnë nevojën për përkushtim të shtuar dhe angazhim të të dy palëve nëpërmjet dialogut”, thuhet në njoftimin dërguar sot mediave, dhe shtohet se “progresi në normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet i rëndësisë së lartë për të dyja palët, për Bashkimin Evropian dhe Ballkanin Perëndimor si të tërë”.

Marrë me ndryshime nga reporter.al