Nejmar: Mesi meriton çmimin e FIFA-s

Mediat spanjolle janë të sigurta se “Topi i Artë” këtë vit shkon për Kristiano Ronaldon, nisur dhe nga rituali i përvitshëm i realizimit të setit të fotove për ceremoninë me ekipin e France Football, por ndërkohë braziliani Nejmar bën fushatë për shokun e tij të skuadrës Lionel Mesi, që të fitojë cmimin e “Lojtarit më të mirë të FIFA-s për vitin 2016”. Argjentinasi është mes tre kandidatëve finalistë për këtë cmim, bashkë me Antoine Griezmann dhe rivalin e tij të përjetshëm Ronaldo. Nejmar edhe pse e di se triumfi në Champions dhe në Euro 2016, i jep një shtysë të konsiderushme portugezit 31 vjecar, beson se Cmimin e FIFA-s e meriton vetëm një futbollist.

“Unë nuk e di se kush do të fitojë, por për mua është vetëm njëri që mund të konsiderohet më i miri, dhe ai është Messi. Ronaldo është një lojtar i madh, ai ka klas botëror dhe e ka treguar këtë për shumë vjet dhe unë e respektoj, por Messi është ai që meriton cmimin sipas meje”.

Mesi dhe Nejmar ndihmuan Barcelonën të fitonte La Liga-n dhe Kupën e Mbretit këtë vit. Argjentinasi ka shënuar tanimë 20 gola në 18 ndeshje të luajtura në sezonin e ri, ndërsa për Kombëtaren e Argjentinës ka dërguar 8 herë topin në rrjetë në 2016, duke parakaluar Gabriel Batistutën për t’u bërë golashënuesi më i mirë në gjithë historinë e La Sellecion. Çmimi i FIFA-s për futbollistin më të mirë të vitit, do të shpallet në ceremoninë që do të mbahet në Zyrih në 9 Janarin e ardhshëm.