Nënshkruhet marrëveshja Kosovë – Belgjikë për transferimin e të burgosurve

Ministrja Dhurata Hoxha ka qëndruar në Belgjikë, me ftesë të homologut të saj, Koen Geens, ministër i Drejtësisë së Belgjikës.

Gjatë takimit me homologun e saj belg, ministrja Hoxha njoftoi ministrin Geens për prioritetet në të cilat është fokusuar Ministria e Drejtësisë, siç janë rishikimi funksional i sektorit të sundimit të ligjit, rishikimin e legjislacionit si dhe reformat në gjyqësor, me qëllim të fuqizimit të sundimit të ligjit.

Ministri Geens vlerësoi lart punën që po bën Ministria e Drejtësisë, për të reformuar dhe fuqizuar sektorin e sundimit të ligjit dhe premtoi mbështetjen e Ministrisë që drejton, për reformat që po bën Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës.

Po ashtu, gjatë kësaj vizite, ministrja Hoxha ka nënshkruar instrumentin e ratifikimit të Marrëveshjes së transferimit të të burgosurve me Belgjikën.