NGA KODRA E DIELLIT TURISTËT NA IKIN NË BANSKO

Maqedonia përkundër potencialit të madh për turizëm dimëror, megjithatë ka pak frekuentues në qendrat për skijim, shkruan gazeta KOHA. Të dhënat tregojnë se 80 deri 90 për qind e qytetarëve të Maqedonisë frekuentojnë qendrat për skijim në Bullgari dhe Serbi, fakt ky që e dëshmon gjendjen jo të volitshme të qendrave vendore për skijim. Me fjalë të tjera, oferta vendore nuk i përgjigjet potencialit që ka Maqedonia për turizmin dimëror. Këtë e dëshmojnë edhe të dhënat statistikore, sipas të cilave në janar të vitit 2016 viset malore në vend i kanë vizituar vetëm 7688 turistë, prej të cilëve 5852 kanë qenë vendor dhe 1836 kanë qenë të huaj, duke realizuar vetëm 19.678 fjetje. Shifra të ngjashme modeste të vizitorëve në qendrat skiatore vendore ishin shënuar edhe në muajin janar të vitit 2015, kur viset malore janë vizituar nga rreth 7000 turistë, me rreth 14 mijë fjetje . Shifra të ulëta prej 7000 mysafirësh dhe afër 19 mijë fjetje kishte edhe në janar të 2014-tës, por edhe në janar të vitit 2013 kur në qendrat dimërore kanë qëndruar 9530 vizitorë, me afër 23 mijë fjetje. Kjo me fjalë të tjera nënkupton se vizitorët e qendrave skiatore dimërore të Maqedonisë orientohen t’i vizitojnë ato mesatarisht për dy net, respektivisht vetëm për ndonjë vikend. Modernizimi tepër i ngadalshëm i qendrave skiatore përkundër hapave gjigand që kanë realizuar fqinjët në ndërtimin e qendrave luksoze dimërore është ndër shkaqet kryesore pse Maqedonia me vite të tëra shënon numër tepër modest të fjetjeve në qendrat skiatore vendore. Esnafi i turizmit vite me radhë kërkon edhe sigurimin e fondeve të ndryshme dhe kredive me kushte të volitshme apo edhe subvencioneve nga shteti për të gjithë investitorët potencial si dhe analizë se si Bullgaria me potencial shumë më modest se Maqedonia arriti nga fshatra të thjeshtë të krijojë një “Zvicër të re në Ballkan”. Punëtorët e sektorit të turizmit thonë se shkaku kryesor pse turistët vendor dhe të huaj e anashkalojnë ofertën e qendrave vendore për skijim dhe zgjedhin të shkojnë në qendrat konkurrente në shtetet fqinje është për shkak të ofertës më të lirë, më të kompletuar dhe më e begatshme si për të moshuarit ashtu edhe për fëmijët. Në favor të konkurrencës nga Bullgaria, por edhe Serbia, janë edhe rrugët qasëse, ndërsa tek ne vite me radhë shteti nuk rregullon rrugën prej Tetove deri në Kodër të Diellit. Rritjen e turistëve të huaj në shtetet fqinje nga e tërë Evropa e sjellin edhe ndërtimi i teleferikëve të shumtë, çmimet joshëse, parkimi, kapacitetet e shumta akomoduese, bora artificiale e kështu me radhë. Njohësit e turizmit thonë se turizmi malor është i ndërlikuar, që nënkupton investim dhe mirëmbajtje të infrastrukturës, përmirësim të cilësisë së akomodimit, por edhe zbavitjes dhe kalimit të kohës së lirë, llojeve të ndryshme të relaksimit e kështu me radhë. “Çështja kyçe për zhvillimin e turizmit dimëror është bashkëpunimi i ndërsjellë midis sektorit privat dhe publik, me qëllim që të sigurohet kujdes më i madh për qendrat skiatore. Fatkeqësisht qendrat më atraktive gjenden në pozitë jo të volitshme dhe nevojitet që të intervenohet me qëllim që të sigurohen së paku kushtet themelore për akomodim. Në këtë drejtim nevojitet të realizohet partneriteti privato-publik, që do të sjellë edhe më shumë vizitorë”, thotë profesori universitar Naume Marinkovski. Nga ana tjetër, ekspertët e tjerë theksojnë se duhet pasur kujdes edhe gjatë planifikimit të zhvillimit turistik që të mos ndërtohen qendra turistike vend e pa vend, që mund të sjellin më shumë dëm në shkatërrimin e natyrës se sa përfitime ekonomike.

Edhe pse kohët e fundit dëgjohen ide, por edhe hapa konkrete për nevojën e ndërtimit të sa më shumë qendrave dimërore në Maqedoni, pak male në vend kanë kapacitet në bazë të madhësisë të durojnë qendra më të madhe dimërore-sportive, thonë ekspertët. “Në vend të ndërtimit të dhjetëra qendrave moderne për skijim duhet të modernizohen dhe të ngrihen në nivel më të lartë vetëm qendrat ekzistuese në Malin Sharr, si Kodra e Diellit dhe Bistra në Mavrovë dhe në një masë të kufizuar edhe ato në Pelister, Ponikva në Osogovë dhe Krusheva, për shkak të infrastrukturës ekzistuese. Të tjerat mund të përdoren në mënyra të tjera të funksionimit si gjeo-parqe, çiklizëm malor, turizëm rural, parashutizëm etj”, thotë profesori universitar Ivica Milevski. Sipas tij, përkundër asaj se gati nuk ka mal që nuk përmendet si qendër potenciale sportive dhe skiatore krahas atyre pesë ekzistuese, gjegjësisht përflitet se Maqedonia duhet të ketë 10-15 qendra dimërore të turizmit, megjithatë kapacitet maksimal të qëndrueshëm që të mos vijë deri tek çrregullimi më i madh i natyrës në aspektin e klimës, ujit, tokës, biodiversitetit, kanë shumë pak male. Ndryshe, edhe idetë dhe planet e ndryshme për modernizimin e qendrave skiatore në Maqedoni, siç është perla e turizmit dimëror e Kodrës së Diellit, mbetën vetëm në letër./gazeta Koha