Nishani: Shqipëria, e angazhuar për mbrojtjen civile nga katastrofat natyrore

 

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe të presidentit të Shteteve të Bashkuara Meksikane mori pjesë në punimet e Platformës Globale 2017 për Reduktimin e Rrezikut të Kastrofave, që po zhvillohet në Kankun të Meksikës.

Për herë të parë punimet e kësaj platforme zhvillohen jashtë ambienteve të Kombeve të Bashkuara që është në Gjenevë, dhe aktiviteti u ndoq nga një numër i konsiderueshëm drejtuesish shtetesh e qeverish, si dhe shkencëtarë, akademikë, përfaqësues të agjencive të ndryshme të emergjencave civile, e të tjerë.

Presidenti Nishani mbajti një fjalë në panelin e deklaratave zyrtare, ku që në fillim vlerësoi organizimin e kësaj platforme jashtë Gjenevës, duke krijuar një shembull shumë pozitiv, që mund të ndiqet edhe nga vende të tjera në të ardhmen.

“Shqipëria, ashtu si edhe vendet e tjera është tërësisht e angazhuar për të kontribuar me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e saj, në reduktimin e rrezikut që vjen nga fatkeqësitë natyrore dhe ndërtimin e aftësive ripërtëritëse që garantojnë një zhvillim të qëndrueshëm të vendit”, theksoi presidenti Nishani.

Gjithashtu, presidenti Nishani vlerësoi angazhimet e marra me agjendën 2030 dhe Marrëveshjen e Parisit për Klimën, duke i konsideruar ato jo vetëm si mundësi për gjeneratën aktuale, por edhe për brezat e së ardhmes.

“Zbatimi i këtyre dokumenteve ndërkombëtare, ku Shqipëria është pro-aktive, konsiderohen me të drejtë si strategjitë kryesore globale për përballimin e ndryshimeve klimaterike, arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm, ndihmën ndërkombëtare, por edhe për çështjet e sigurisë e të paqes në botë”, u shpreh  ai.

Në kuadrin e pjesëmarrjes në këtë aktivitet të përbashkët të Kombeve të Bashkuara dhe qeverisë meksikane, Presidenti Nishani u takua edhe me Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Reduktimin e Rrezikut nga Katastrofat, Robert Glasses, me të cilin bisedoi në mënyrë të veçantë për rritjen dhe forcimin e bashkëpunimit mes strukturave përkatëse të Kombeve të Bashkuara dhe atyre shqiptare në masat paraprake për menaxhimin e efekteve të katastrofave.

Gjithashtu, presidenti Nishani zhvilloi takime e biseda të shkurtra edhe me presidentin e Meksikës, Nieto e zyrtarë të tjerë të lartë që morën pjesë në punimet e këtij aktiviteti.