Nishani uron muajin e madhërishëm të Ramazanit

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, u uroi besimtarëve myslimanë muajin e madhërishëm të Ramazanit.

Urimi i Presidentit Nishani:

Dita e nesërme shënon fillimin e Muajit të shenjtë të Ramazanit, nisjen e sakrificave, reflektimit dhe dhënies së provave pafund të forcës së besimit.

Me këtë rast dëshiroj t’ju uroj nga zemra një agjërim sa më të lehtë e të mbarë! Si dhe të nënvizoj rëndësinë e jashtëzakonshme që ky Rit shumëshekullor ka për shpirtrat e miliona besimtarëve anembanë botës, për forcën e brendshme të tyre si dhe për kthjellimin e mendjeve të tyre duke farkëtuar gjithmonë e më shumë besimin te i Plotfuqishmi.

Sakrificat tuaja të përditshme gjatë gjithë këtij Muaji të shenjtë rrisin dhe jetësojnë mrekullinë sa hyjnore aq edhe tokësore të besimit tuaj të palëkundur duke rritur nëpërmjet sprovave dashurinë për njëri-tjetrin, dhembshurinë e mëshirën për më të pafatët.

Ju uroj edhe njëherë një Ramazan sa më të lehtë, duke qenë i sigurt dhe i bindur se në përfundim të tij do të jemi të gjithë me mendje dhe shpirt të pastër e të kulluar, dhe bota e njerëzimi do të jenë edhe më të mirë!