Një faqe islame fyerje të rënda ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Një faqe islame në gjuhën shqipe, e titulluar “Ansaaru-Sunnah” (Thirrja e të gjithë të dërguarve), ka publikuar një shkrim që përmban fyerje të rënda ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shkrimi, i titulluar “UÇK-ja nën peshoren e sheriatit dhe gjykimi mbi ata që kanë qënë në radhët e saj”, gjoja sqaron “realitetin” e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas kësaj faqeje islame, UÇK “është themeluar në bazat e kufrit”, “është formuar për krijimin e shtetit laik dhe demokratik në të cilin feja nuk ka vend dhe është diçka sekondare dhe private” dhe “është deklaruar si një ushtri nacionaliste, e cila lufton për interesat e kombit dhe atdheut”.

Më tej, në këtë shkrim, UÇK dënohet për shkak se “e ka konsideruar Francen, Anglinë, SHBA-n dhe shtetet e tjera të kufrit si ”aleat”, mik të ngushtë dhe ndihmës. I ka lavdëruar dhe i ka marë ata si shembull të tyrin”, raporton Gazeta Express.

 

Faqja islame në fjalë argumenton se është mëkat të konsiderohen “jehudët dhe të krishterët për Eulija (shokë, miq e mbrojtës)”.

Kjo faqe madje gjen vërejtje për UÇK’në që nuk ka luftuar “për implementimin e sheriatit”.

UÇK, thuhet në shkrimin e kësaj faqeje, “komandantët e saj i ka patur anti-islam, kanë fyer fenë, parimet fetare, kanë urrejtur çdo element që ka të bëjë me islamin. Kanë bërë shumë kufrijate dhe mëkate haptas pa pikën turpit”.

“Komandantët dhe themeluesit e kësaj ushtrie nuk kanë ditur ta shqiptojnë shahadetin, e aq më pak ta kuptojnë atë”, thuhet më tej në shkrim.