Një i ri shqiptar humbi jetën në një aksident rrugor

Një i ri shqiptar humbi jetën në një aksident rrugor në Torino.

29-vjeçari, Bujar Krasnaj, i cili punonte për shoqërinë “Ok Gol”, koncesionari që merrej me mbarëvajtjen e autostradës, u përplas për vdekje nga një mjet tip “Audi A6” gjatë orarit të punës.

Ngjarja u regjistrua mëngjesin e kësaj të hëne në autostradën Torino-Frejus, brenda një tuneli.

Mediat italiane shkruajnë se automjeti ka hyrë në parakalim brenda tunelit duke goditur karrocën ku po punonte 29-vjeçari shqiptar Bujar Krasnaj.

Aksidenti rezultoi fatal për të riun shqiptar, ndërsa i plagosur mbeti dhe një koleg i tij i punës i cili është dërguar në spital për mjekim, raportojnë mediat italiane.

Në gjendje shoku në spital është dërguar dhe shoferi i mjetit. Ai është vënë nën hetim për vrasje si pasojë e aksidentit rrugor.

Policia vijon hetimet për zbardhjen e aksidentit, ndërsa mësohet se shoferi ka rezultuar negativ në testin e alkoolit.

Aksidenti shkaktoi dhe probleme në qarkullimin e mjeteve, duke bllokuar autostradën për disa orë.

Rreth orës 10:00 të paradites u hap njëri krah në drejtim të Bardonecchias dhe rreth orës 12:00 u rihap qarkullimi në krahun tjetër, duke rikthyer në normalitet qarkullimin.