Një jetë e re vetëm të dijmë kujt t’ia japim votën

Nga Riza HOXHA  Prej vitesh, ne shqiptarët mbetëm të izoluar në rrjetën e startit të demokracisë pa arritur ta kapim atë. Kemi mbetur në start dhe as nuk e dimë se kur do të nisim të lëvizim drejt shtigjeve të reja të përparimit. Në mendje na kanë mbetur ca rrangullina që vlejnë vetëm për t’i flakur në tunelin e harresës. Ndërsa çuditemi si nuk kemi mundur të bëjmë një hap para. E keqja është se tashmë të gjithëve na është mbushur mendja se as mundësi nuk kemi të bëjmë të paktën vetëm një hap para.

Sepse drejtohemi nga monstra të çuditshme, të cilat vetë ne i gjejmë dhe i vendosim në karrige që të na drejtojnë. Edhe pse e mësojmë se monstrat janë të çuditshme dhe kënaqen vetëm duke na varfëruar e duke na shtuar rrëmujën e rrëmetin. Por edhe ne çuditërisht nuk stepemi dhe nuk ndërrojmë mendje. Po i mbajmë në krye të tilla monstra.

Ne kënaqemi vetëm me faktin se me të tilla monstra nuk arrijmë ndonjëherë të kemi në krye të punëve tona vizionarë dhe burra shteti që mund të krenohen nesër se celën rrugë të reja për demokracinë shqiptare. Ne kënaqemi se të tillë burra Shqipërisë i mungojnë. Sepse në çdo palë zgjedhje, ne vetëm zëvendësojmë plaçkitës, apo tregtarë votash që na sundojnë dhe na plaçkitin për një periudhë kohe. I zëvendësojmë me plaçkitës të tjerë, përfaqësues të një familjeje tjetër politike. Sepse jemi mësuar gjatë këtyre 26 viteve me pushtetin familjar që çdo monstër partiake sjell sa herë ngjitet në pushtet. Kënaqemi vetëm me faktin se asnjëherë nuk dimë të votojmë burra shteti e vizionarë që mund të na vënë të ecim në shinat e jetës, pasi i kemi humbur të gjitha dhe sillemi pa ditur si “kali në lëmë”. Kjo është arsyeja që sapo mbarojmë një palë zgjedhje pëshpëritim: “Mjerë ne shqiptarët në ç’duar kemi mbetur”. Edhe pse e dimë se fajin e kemi vetë.

Vetë i kemi ushqyer monstrat duke ua dhënë sa herë kanë dashur votën duke u kthyer në ushtarë të bindur të tyre, të lloj-lloj partive (kush më tregon sa parti ka sot në këtë Shqipëri me 2,7 milion banorë?) Janë këto lloj partish që na drejtojnë nga zyrat e shtetit, edhe pse as nuk ia kanë idenë pse hyjnë në zyra. Sepse shumë prej tyre kanë nga 2-3 (disa edhe 4 e më shumë) diploma universitare, por pa mbaruar arsimin e mesëm. Tashmë shembuj të tillë groteskë, prodhim alla shqiptar të gjithë e dimë se kemi me shumicë.

Thoni çfarë të doni, po nëpunës të tilla nuk ka patur sistemi komunist. Ka patur punonjës me shkollë të mesme e me shkollë partie, po në çdo institucion kishte specialistë, kishte kryeinxhinierë, kishte degë teknike, pra specialistët askund nuk mungonin. Dhe ishin ata që drejtonin. Ndërsa tani, edhe nëpër OSHEE ke më shumë analfabetë, punën e të cilëve e mbulojnë 2 – 3 elektricistë. Pale në sektorë të tjerë. Ndodh kështu sepse gjithçka është nën hyqmin e partisë që kryen të gjithë emërimet përmes shefave të burimeve njerëzore, kopja shumë e keqe e shefave të kuadrit të kohës së komunizmit. Është kopje e ndyrë, sepse dje ishin me shkollën e partisë, sot vetëm me teserën e partisë. E kanë ndjerë ndyrësinë, ndaj partitë kanë nisur që gjatë verës të kryejnë me militantët e tyre, akademi politike verore, që sado pak I ngjajnë shkollës së Partisë V.I.Lenin”. Nuk është çudi që nesër militantë të tillë të marrin në duart e tyre jo vetëm zyrat e burimeve njerëzore, por edhe ato të administratës shtetërore. Ne shqiptarët e shkretë do të mbesim duke vajtuar: bah, në ç’duar kemi mbetur. Ashtu siç themi sa here pasi votojmë: kemi Parlamentin më të dobët. Por e pranojmë: të tillë e duam vetë, pasi vetë votën dimë t’ua japim vetëm myteberëve pa moral. Dhe kështu ndërtojmë sa herë që votojmë një parlament dallkauk e kopuk që vazhdon ta zhysë vendin në varfëri e mjerim. Ndërsa pushteti i këtyre 26 viteve as nuk do t’ia dijë për moral. Moralin e këtij lloj pushteti është e kotë ta zëmë në gojë, sepse ai vetëm moral nuk ka. Aq sa të gjithë nëpunësit e tij mendjen e kanë jo te puna, por te përfitimi. Aq sa shohim çdo ditë si plaçkitin pasurinë kombëtare, si fitojnë miliona nga trafiku i drogës. Vetëm kohët e fundit përfaqësues të këtij lloj pushteti e pranojnë se përfaqësues të tij merren edhe me trafikun e drogës. Ndaj Shqipëria është përmbytur nga mbjellja e kanabisit.

Në gjithë zallamahinë shqiptare, një pakicë shumë e vogël gjithnjë del e fituar, ndërsa shumica tashmë në Shqipëri u ngjan skllevërve të lashtësisë. Shumicës as zërin nuk do t’ia dëgjojnë oligarkët që kanë vënë përfund gjithë shtetin. Për ç’demokraci leshi bëhet fjalë në Shqipëri, kur shumicën nuk e përfill njeri, edhe kur njëherë kërkon të zhvillojë referendum e të japë mendim për një problem. Mungesa e referendumeve është një nga paradokset e shumta të demokracisë shqiptare. Në kushtetutë referendumi është prezent, por me shume kleçka, aq sa deri tani ai është përjashtuar si mundësi zgjidhjeje problemesh. Është bërë açik si ka dashur oligarkia.

Është evidente që në Shqipëri demokracia është e përlyer, e përgjysmuar, përderisa qytetarëve nuk u garantohet pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në jetën politike përmes referendumeve. Thjesht sepse, kjo është dëshirë e oligarkëve në pushtet që nuk duan t’ia dinë për çfarë niveli ka demokracia. Për të, niveli i demokracisë është i plotë, përderisa ata arrijnë të mashtrojnë parelinjtë ndërkombëtarë, të cilëve u shkon mendja të ndihmojnë shqiptarët, popullin më të varfër të Evropës.

Se Shqipëria drejtohet nga oligarkë, pa shqiptarët kërkojnë vazhdimisht ndërhyrjen e ndërkombëtarëve në punët e tyre. Bile, tashmë është e ditur se shqiptarët më shumë u besojnë atyre se myteberëve oligarkë që kanë zaptuar karrigen e pushtetit. Se Shqipëria po bie poshtë e më poshtë e tregon edhe çfarë ndodhi pak ditë më parë në afërsi të Ishmit. Një avion hyri në hapësirën tonë ajrore, u ul në një aeroport të ndërtuar nga mafia dhe rastësisht pësoi një defekt, gjë që dha sinjalin e alarmit. Ndryshe gjithçka do të kishte shkuar si në vaj. Për çfarë ndodhi, gjithë shqiptarët pyesin: ç’lesh sovraniteti kemi, kur kush të dojë hyn e del në shtëpinë tonë dhe nuk e nget njeri? Ndërsa gjatë këtyre viteve kemi parë shumëkënd nga myteberët tanë të krenohet me ushtrinë. Aq sa tashmë e dimë se, kemi ushtri vetëm për të pastruar plehrat nga Morini në Butrint. Për gjë tjetër as mos të na shkojë mendja. Sepse tashmë na është bërë e ditur se, hapësirën ajrore dhe detare na e mbrojnë miqtë. Po edhe ata kanë ndonjëherë hallet e tyre. Dhe së pari do të shohin hallin e tyre e jo të shqiptarit. Ndërsa ne, presim që Italia e Greqia të kontrollojnë hapësirën tonë ajrore, të informojnë qendrën e NATO-s dhe kjo qendër më pas të njoftojë Shqipërinë.

Kësaj i thonë shqip: bir Selman i nënës? Kë të qaj më parë. Problemi është se ne shqiptarët po mbetemi duke qarë budallallëqet që kryen pushteti oligarkik që vetë e kemi instaluar në Shqipëri. Të gjithë po e shohim se kemi një Kod Zgjedhor krejtësisht të dështuar. U vërejt edhe në Dibër. Po heshtet, edhe pse zgjedhjet i kemi vanë prag. Depolitizimi i organeve të administrimit të zgjedhjeve, apo barazia gjinore në komisionet zgjedhore, listat e hapura si një mundësi për të mos futur si deri tani në Parlament lloj-lloj malukatësh sa na vjen turp që i kemi përfaqësues. Janë këto e probleme të tjera që kërkojnë një zgjidhje, para se të startojë fushata elektorale. Zgjedhjet po afrohen. A do të dijmë ne shqiptarët të ndryshojmë mendje? E bashkë me të edhe jetën tonë?! Që të mos ua lëmë oligarkëve të pashpirt!