Një këmb të re për vajzën nga Alepo

Lufta në Siri ka kërkuar jetën e qindra mijëra vetëve e ka plagosur rreth një milion vetë, gati gjysma e tyre gra dhe fëmijë. Në Gaziantep organizata “Relief International” kujdeset për fëmijë dhe të rritur të plagosur.

Nagham është nëntë vjec. Ajo rri e ulur në një bankë pranë vendit të saj të lojërave dhe mban në duar patericat. Këmbën e majtë u desh t’i presin, pasi u plagos rëndë nga një sulm me raketa në qytetin e saj të lindjes në Aleppo. Ajo tregon se si ndihet. “Jam pak e mërzitur. Fëmijët e tjerë i kanë të dyja këmbët. Kurse unë jo.”

Nagham ka shkuar me nënën e saj në Gaziantep në jug të Turqisë. Babai i saj e humbi jetën në një sulm me raketa në Aleppo. Këtu në Gaziantep, nëna dhe e bija janë të sigurta. Dhe Naghamit do t’i vënë një protezë në këmbë, një këmbë artificiale prej karboni dhe plastike. Asaj i duhet të mësojë si të ecë me protezën, por këtë nuk do ta ketë problem. Ajo mësoi si të ecë edhe me paterica:

“Në fillim kisha shumë frikë që t’i zbrisja shkallët me paterica. Po tani kam mësuar. Tani nuk kam më frikë.”

Organizata “Relief International” i ndihmon fëmijët si Naghami e edhe të rriturit, që janë bërë viktima të luftës në Siri. Teknikët e “Relief International” prodhojnë në Gaziantep proteza krahësh dhe këmbësh me masat e duhura. Në fillim, donacionet mjaftonin për të ndihmuar dhjetë deri pesëmbëdhjetë pacientë në muaj. Që prej disa kohësh, Bashkimi Evropian e mbështet projektin.

“Që kur ne mbështetemi financiarisht nga Bashkimi Evropian, numri është dyfishuar. Tani mund të furnizojmë me proteza më shumë se 30 pacientë”, thotë Thomas Evans nga Relief International.

Me 700.000 Euro ka kontribuar deri tani për këtë projekt Bashkimi Evropian. Këto para janë një pjesë e gjithsej tre miliardë eurove, me të cilat BE merr pjesë në shpenzimet për furnizimin e refugjatëve sirianë në Turqi – në bazë të marrëveshjes për refugjatët midis BE dhe Turqisë.

Megjithatë lista e atyre që presin është 700 vetë, thotë Thomas Evans. Dhe përditë shtohen të tjerë të plagosur rëndë, që humbasin këmbët ose duart në Sirinë fqinjë. “Relief International” vlerëson se tani në Siri janë rreth 20.000 vetë që kanë nevojë për proteza. Nagham flet për dëshirën e saj për të vajtur në shkollë.

“Unë dua të shkoj në shkollë. Mamaja më dërgoi njëherë në një shkollë. Por fëmijët e tjerë më zemëruan, sepse unë kam vetëm një këmbë. Prandaj u largova nga shkolla dhe nuk doja të shkoja më atje. Pastaj ne erdhëm këtu në Gaziantep. Por këtu shkolla vazhdon të jetë e mbyllur.”

Naghami shpreson se së shpejti shkolla do të rihapet për fëmijët refugjatë sirianë, sepse ajo ka dëshirë të mësojë shumë dhe dikur më vonë t’u japë vetë mësim fëmijëve. Naghami ëndërron që një ditë të bëhet mësuesi e artit në qytetin e saj të lindjes, Aleppo./DW/