Një nënë 39 vjeçare ka dashur t`i mbysë dy fëmijët e saj

Një nënë 39 vjeçare ka dashur t`i mbysë dy fëmijët e saj 12 dhe 13 vjeçarë, duke i ngulfatur dhe goditur me thikë. Ajo kishte thënë para organeve ndjekëse se kishte dashur që pastaj të vriste edhe veten.

Të hënën ka filluar në Gjykatën porote të Landit në Hagen procesi ndaj kosovares, shkruan derwesten.de. Ky proces pritet ta lirojë gruan nga vuajtja e dënimit pasi që një ekspertizë mjekoligjore ka ardhur në përfundimin se ajo vuan nga çrregullime serioze psikike, transmeton albinfo.ch. Në momentin e krimit, në qershor të këtij viti, ajo ka qenë e papërgjegjshme për veprimet e saj, ka thënë për mediat një zëdhënëse e gjykatës. Që nga ajo ditë, gruaja ka qenë e vendosur në një qendër psikiatrike.

Ndërsa puna e gjykatës tash është të konstatojë nëse nga kosovarja mund të pritet që edhe në të ardhmen të kryejë vepra të ngjashme penale. Në rast se vlerësohet kështu, ajo, me vendim gjyqësor do të dërgohet në një spital psikiatrik.

Gruaja nga qyteti gjerman Ennepetal në mbrëmjen e 11 qershorit i kishte mbyllur dy fëmijët e saj në banesë. Pa ndonjë arsye të shpjegueshme, ajo atë ditë ishte e zemëruar së tepërmi. Në tërbim se sipër e kishte ngulfatur të bijën, me qëllim që ta mbyste. Por i biri u kishte hyrë në mes dhe kishte arritur që të nxirrte motrën nga duart e nënës që kishte humbur kontrollin mbi vete. Mjekët kishin gjetur më vonë shenja të ndrydhjes në qafën e vogëlushes, përcjell albinfo.ch. Por, nëna e tërbuar nuk e kishte lënë me kaq. Ajo kishte marrë në kuzhinë një thikë me tehun 20 cm të gjatë dhe u ishte drejtuar fëmijëve: Unë po vdes dhe po ju marr  ju me vete”. Vajza kishte provuar t`ia merrte thikën nga dora dhe në përpjekje e sipër kishte pësuar disa prerje në dorën e majtë. Përfundimisht dy fëmijët e gjejnë çelësin dhe ia dalin të ikin nga banesa.

Pjesëtarë të tjerë të familjes e kishin dëgjuar zhurmën dhe e kishin  alarmuar policinë. Nëna ishte dërguar që atë natë në spitalin psikiatrik.

Fillimisht, prokuroria kishte menduar që deliktin ta cilësonte si lëndim trupor, si pasojë e një përpjekjeje të zgjeruar për vetëvrasje. Por, të dhënat që kanë dalë në dritë më vonë kanë bërë që kosovarja të akuzohej për tentim vrasjeje.