Një person i panjohur ka hedhur 25 mijë franga në kutinë e ndihmave

Në aeroportin e Cyrihut, në Zvicër, në një kuti për grumbullimin e ndihmave humanitare për fëmijë „SOS-Kinderdorf“, dikush i ka hedhur 25 mijë franga zvicerane. Ende mbetet e paqartë se kush mund të ketë qenë personi.

Nga fundi i muajit nëntor të vitit të kaluar, një i panjohur ka hedhur 25 mijë franga zvicerane në kutinë për grumbullimin e ndihmave humanitare për fëmijë „SOS-Kinderdorf“, në aeroportin e Cyrihut, shkruajnë mediet zvicerane, njofton „Shtegu.com“. „Të hollat i kishte vërejtur një udhëtar i rastësishëm dhe menjëherë e kishte alarmuar policinë“, ka pohuar zëdhënësja e ndihmave humanitare për fëmijë „SOS-Kinderdorf“, Isabel Rutschmann.

Personi i cili e kishte alarmuar policinë, ka qenë i shqetësuar, pasi një shumë e tillë të hollash, ka mundur të shkaktonte keqtrajtime. Më tej Rutschmann ka vazhduar: „Në marrëveshje me SOS-Kinderdorf, policia i ka tërhequr për momentin të hollat“.

SOS-Kinderdorf është gëzuar dhe falënderuar tejmase për një donacion të tillë. „Është një ndihmë e madhe për fëmijët në nevojë“. Rutschmann ka theksuar se një donacion i tillë në para të gatshme është i pazakonshëm: „Deri më tani, asnjëherë nuk kemi pranuar ndonjë donacion të tillë“.

Se kush ka mundur të jetë personi që i ka dhuruar këto të holla, as policia e as SOS-Kinderdorf nuk kanë ndonjë ide. Janë përhapur thashetheme se një indas nuk ka mundur t`i transferojë këto të holla përmes kufirit, prandaj ai i ka futur në kuti, por Rutschmann demanton: „Një gjë e tillë doli si e pavërtetë“, ka përfunduar ajo.