“Një qind mijë poetë për ndryshime” në Preshevë

“Një qind mijë poetë për ndryshime” në Preshevë

“Vetë emri i Manifestimit, tregon qartë se 100.000 poetë në mbarë rruzullin tokësor kërkojnë ndryshime pozitive në çdo aspekt të jetës shoqërore, ekonomike e politike me qëllim të avancimit të të drejtave elementare të mbarë njerëzimit”, theksoi Bilall Maliqi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve “Feniks”, nga Lugina e Preshevës.

Nga Sevdail Hyseni

Java e fundit e shtatorit, në Preshevë, përveç ndryshimeve klimatike, solli edhe freskinë e jetës kulturore.

Manifestimi, tashmë, tradicional “Një qind mijë poetë për ndryshime” nga “Atinus” Lugina e Zvicra, organizuan përurimin e librit me përkushtime poetike, të autorit Luan Maloku, me titull: “Miratoci në rrugën e dritës”.

Në këtë manifestim kulturor,  morën pjesë poetë dhe dashamirë të artit poetik e letrar nga Kosova dhe Lugina e Preshevës.

“Vetë emri i Manifestimit, tregon qartë se 100.000 poetë në mbarë rruzullin tokësor kërkojnë ndryshime pozitive në çdo aspekt të jetës shoqërore, ekonomike e politike me qëllim të avancimit të të drejtave elementare të mbarë njerëzimit”, theksoi Bilall Maliqi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve “Feniks”, nga Lugina e Preshevës.

Për rolin dhe rëndësinë e librit folën Sevdail Hyseni, redaktor dhe Bilall Maliqi, recensent i librit, të cilët shpërfaqën vlerat e librit me përkushtime poetike.

Vet titulli simbolik i veprës “Miratoci në rrugën e dritës”, nxjerr në dritën poetike misionin e shenjtë të mësuesit Zeqir Nebiu, nga Presheva, i cili një jetë të tërë ia kushtoi arsimimit dhe edukimit të brezave të rinj.

Me dhjetëra krijues, me vargjet e tyre, shprehin nderim dhe respekt, për mësuesin e paharruar nga Miratoci, i cili me zell e dashuri i shkriu energjitë mendore dhe fizike, për të reflektuar dije dhe kulturë në brezat e së ardhmes të kombit tonë.

Për misionin njerëzor e patriotik, të mësuesit Zeqir, thurën vargje edhe ata që e njohën për së afërmi edhe ata që kishin dëgjuar për veprat e tij, duke e përjetësuar në poezi, për të cilin edhe pas kaq vitesh të ndarë nga jeta, ndjejnë dhembje, mall e krenari.

Në 36 poezi të përmbledhura brenda kopertinave të librit: “Miratoci në rrugën e dritës”, kushtuar Zeqir Nebiut, janë shkrirë e derdhur ndjenjat më fisnike për veprimtarinë edukativo-arsimore të mësuesit preshevar.

Duke lexuar poezitë kushtuar mësuesit Zeqir, na del përpara një botë e pasur me shprehje figurative, një gjuhë e rrjedhshme dhe e pastër shqipe..

36 autorët, që i përkushtojnë vargje mësuesit nga Miratoci, janë nga vende dhe rrethe të ndryshme, duke filluar nga Miratoci, Presheva, Bujanoci, Medvegja, Tirana, Prishtina, Shkupi, Prizreni, Gjilani, Drenasi, Kukësi, Istogu, Fushë Kosova, Zvicra, Gjermania e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Portreti i mësuesit Zeqir Nebiu, personazhi kryesor, i përkushtimeve poetike, bëhet burim frymëzimi dhe pishtar diturie edhe ndër breza të tjerë krijuesish.

Manifestimit letrar iu bashkëngjit edhe ora letrare, në të cilën I lexuan poezitë e tyre kushtuar mësuesit Zeqir: Hysen Këqiku, Hasije Selishta –Kryeziu, Avni Presheva, Rrahman Hyseni, Nehat Ramizi etj.

Në fund të këtij takimi, u ndan mirënjohje për kontribut në letërsi,  Bilall Maliqit, Luan Malokut, Sevdail Hysenit, Jalldeze Kasumi Arifi, Nehat Ramizit, Rrahman Hysenit.

Ndërsa Shoqata “Feniks” e nderon për njëzetë vjetorin e krijimtarisë letrare me mirënjohje Luan Malokun, autorin e përkushtimeve poetike “Miratoci në rrugën e dritës” dhe shumë veprave të tjera letrare.