Nju Jork, shqiptari i parë në histori shpallet kandidat për Këshillin Bashkiak

Mark Gjonaj ka dalë fitues në një garë të vështirë brenda Partisë Demokratike për Distriktin e 13, të Këshillit Bashkiak në New York. Nëse fiton në zgjedhjet e nëntorit, Gjonaj do të bëhet shqiptaro-amerikani i parë në histori që zgjidhet në Këshillin Bashkiak të New York-ut.

Deri në orën 11 të natës, kjo e Gjonajt ishte një nga tri garat e vetme ku nuk ishte shpallur fituesi. U luftua deri për votën e fundit, duke dëshmuar edhe një herë rëndësinë e daljes në votime. Në fund, Gjonaj doli në vend të parë me 38.7% të votave, ndjekur nga Marjorie Velazquez, me 34.4%.

TABELA E REZULTATIT

Mark Gjonaj 3326 vota (38.7%)
Marjorie Velazquez 2958 vota (34.4%)
John Doyle 1644 vota (19.1%)
Victor Ortiz 414 vota (4.8%)
Egidio Sementilli 254 vota (3.0%)
Mark Gjonaj bëri një fushatë të jashtëzakonshme, me takime të përditshme, me banorë të zonës të të gjitha shtresave dhe komuniteteve.
Sulmet ndaj tij ishin shumë të padrejta dhe nganjëherë të pandershme. Një nga orvajtjet për ta penguar ishte duke u nisur nga identiteti etnik. Pse duhej të zgjidhej një kandidat johispanik në një distrikt me shumicë hispanike? Por Mark Gjonaj fitoi edhe sepse u paraqit si kandidati i të gjithëve.
Ish-këshillari bashkiak, James Vacca, në largim, u përpoq të linte në vendin që po mbetej bosh një njeriun e tij, kandidaten e vendosur, por tepër të re dhe të jo gati për të shërbyer Marjorie Velazquez. Ajo mori edhe mbështetjen e gazetës së njohur “The New York Times”.

Kundërshtarët e Gjonajt u munduan ta paraqesin si jo mjaftueshëm në krahun e majtë. Organizata Planned Parenthood (Prindërimi i planifikuar) e krahasoi me Donald Trump duke e akuzuar se ishte kundër të drejtave të grave në fushën e abortit dhe shëndetësisë.

John Doyle, që doli i treti në garë me vetëm 19,1% e akuzoi si dikë që ishte në anën e pronarëve të pallateve dhe jo të qiramarrësve që kanë nevojë për mbrojtje. Për këtë i përmendi një donacion që fushata e Gjonajt kishte marrë nga një “lord i llumit” që njihej për kushte të këqia në pallatet e tij në Bronx. (Gjonaj nuk mund të jetë përgjegjës për këdo që i dërgon donacione dhe në fakt, në këtë rast e kishte kthyer mbrapsht atë çek).

Më keq akoma, Doyle arriti deri aty sa ta akuzonte se kishte marrë ndihma nga trafikantë armësh etj. Bëhet fjalë për një grup kontrabande që u kap së fundi në New York, por emrat e përmendur nga kandidati Doyle, janë përfshirë vetëm sipërfaqësisht dhe janë thejsht të akuzuar. Asnjë prej tyre nuk është shpallur fajtor. Kjo ishte thjesht një tjetër përpjekje e ulët për të ndaluar të vetmin kandidat real në garë.

Pothuajse të gjitha akuzat shin ngjashmërisht të pathemelta. Gjonaj gëzoi mbështetjen e të gjitha sindikatave të punëtorëve të qytetit. Gëzoi mbështetjen e Presidentit të Bronx-it, Ruben Diaz Jr, i cili gjithashtu fitoi në zgjedhjet brenda partisë, sonte dhe po shkon drejt rizgjedhjes. Mori mbështetje publike nga guvernatori Andrew Cuomo, senatori i Shtetit Jeff Klein, si dhe kongresisti i njohur Eliot Engel.

Mbi të gjitha Gjonaj shkëlqeu në mbledhjen e fondeve për fushatën. Rreth 700,000 dollarë si asnjëherë në historinë e garave të tilla, e ndihmuan në rrugën drejt fitores. Rrugë që do të plotësohet në garën përfundimtare në të martën e parë të nëntorit.

Një rol jo të vogël në mbledhjen e fondeve, fushatën, dhe votat e marra luajti komuniteti shqiptaro-amerikan që u mobilizua për të ndihmuar.

Në rrjetet sociale, me thirrje e nxitje, me takime fondmbledhëse, vizita dhe ndihma konkrete në zyrën e fushatës. Shqiptarët ndihmuan shumë për këtë moment historik për komunitetin tonë.

Kjo është hera e dytë që Mark Gjonaj bën histori në SHBA. Së pari me zgjedhjen si asamblesisti i parë shqiptaro-amerikan në legjislativin e shtetit të New York-ut dhe tani si kandidati zyrtar i Partisë Demokratike për Këshilltar Bashkiak në New York.
Dhjetëra shqiptarë ishin mbledhur bashkë me mbështetës të tjerë në restorantin Maestro në Bronx për të festuar fitoren. Disa bashkatdhetarë si Esad Gjonbalaj dhe Dritan Haxhia transmetuan drejtperdrejt ne Facebook, fjalimin e fitores. Kushdo mund ta shohe aty. Lajmi u vonua por në fund, i gëzoi të gjithë për punën e madhe./Ruben Avxhiu, Illyria.