Norvegji, kryeministrja kërkon “Pokemonë” në Parlament

Kryeministrja norvegjeze, Erna Solberg tha sot se nuk pendohet se kishte luajtur “Pokemon Go” gjatë një seance parlamentare.

Fotografitë e bëra dje shfaqin kryeministren teksa përpiqej të hynte në lojë gjatë debatit, pasi mbreti Harald kishte lexuar fjalimin që përshkruante planet e qeverisë për vitin e ardhshëm.

“Çuditërisht, Solberg kapi celularin e saj që të luante ndërkohë që po fliste liderja e Partisë Liberale, Trine Skei Grande”, raportuan disa media.

Liderja e Partisë Liberale, Grande u kritikua në muajin gusht, pasi pranoi se luante “Pokemon Go” gjatë një seance të mbajtur nga komisioni parlamentar i Mbrojtjes.

“Mendoj se Trines i ka pëlqyer ideja që unë kam luajtur Pokemon Go ndërkohë që ajo po mbante fjalim”, ka thënë Solberg për gazetën e përditshme “Klassekampen”.

“Ata që dinë disa gjëra për Pokemon Go mund të kuptojnë se aty nuk kishte mbulim të GPS-së dhe ishte e pamundur për të luajtur”, shtoi ajo.

Grande me sa duket nuk e ka marrë për ofendim dhe ka shkruar në Twitter se “kryeministrja e ka dëgjuar atë çfarë unë kam thënë, sepse ju e dini që ne zonjat mund të bëjmë dy gjëra në të njëjtën kohë”.

Solberg thuhet të ketë gjuajtur për mostrat e “Pokemon Go” gjatë një vizite në kryeqytetin e Bratislavës të Sllovakisë në muajin gusht, por, në pushimin e programit zyrtar.